Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, një konferencë për median nga Aeroporti i Rinasit kanë bërë me dije mbërritjen e 1170 doza të vaksinës antiCOVID nga Kompania Pfizer mbrëmjen e sotme.

“Sot Pfizer dozat e para që janë 1070 doza, që do të thotë fusin në procesin e vaksinimit jo vetëm ata që kanë marrë dozën e parë, por dhe të tjerë. Zotimi që është marrë nga Pfizer është që në javët në vijim do vijnë dhe dozat e angazhuara, qoftë 10 mijë të para, qoftë dhe 31 mijë të tjera”, – tha kryeministri Rama.

Duke e konsideruar një ditë të rendesishme, Manastirliu tha se ardhja e dozave të vaksinës nga Pfizer do të zgjerojë vaksinimin duke u shtrirë deri në spitalet rajonale.

“Sot është me të vërtetë një ditë e rëndësishme. Një ditë e cila kurorëzon përpjekjet e kryeministrit dhe të qeverisë padyshim për mbërritjen e vaksinave të ardhura nga kontrata e Pfizer. Vijimi ose ardhja e vaksinave siguron tashmë dozën e dytë, pavarësisht se ishte e siguruar vijon vaksinimin të ekipeve tona të spitaleve Covid. Dhe gjithashtu jep mundësinë për të zgjeruar fashën e vaksinimit në këto spitale. Aktualisht kemi vaksinuar rreth 650 mjekë, infermierë. Ndërkohë që fillon doza e dytë për ta. Nga nesër hapemi dhe zgjerohemi edhe me mjekë dhe infermierë të tjerë po të spitaleve Covid, duke vijuar edhe me personel të ekspozuar në strukturat tona të urgjencave dhe reanimacioneve edhe në disa spitale rajonale”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se po vijohet me rritjen e kapaciteteve të testimit dhe prej ditës sotme janë 10 pika testimi në komunitet.

“Nga ana tjetër vijojmë të rrisim numrat e pikave të testimit në të gjithë vendin. Aktualisht nga sot në Tiranë funksionojnë 10 pika testimi në komunitet. Kemi ulur kohën e pritjes për testet. Testet e shpejta të antigenit kanë krijuar një lehtësi shumë të madhe për qytetarët jo vetëm përsa i përket bërjes së shpejtë të testit, marrjes së përgjigjies por gjithashtu edhe realizimit të testimit afër vendbanimit”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se situata është e qëndrueshme, Manastirliu u ka bërë ape qytetarëve të respektojnë rregullat për parandalimin e COVID-19, vendosjen e maskave mbrojtëse, ruajtjen e distancimit social, ruajtjen e higjenës dhe zbatimin e protokolleve antiCOVID.

“Jemi ende në mes të një lufte. Ashtu siç shihet edhe në vendet e rajonit, fakti që Shqipëria është e dyta pas Sërbisë që garanton dozat e vaksinës është patjetër një hap përpara, apo ne jemi duke e përdorur armën perfekte në luftën kundër virusit. Por kjo nuk do të thotë që të neglizhojmë masat e tjera të cilat deri më sot falë këtyre masave ne ja kemi dalë ta mbajmë kurbën epidemiologjike në një nivel të kontrolluar”, tha Manastirliu.

Në Shkodër dhe në Vlorë do të jenë dy qendrat e tjera të përqendruara të vaksinimit.