Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një bashkëbisedim me qytetarët e Elbasanit. Gjatë bashkëbisedimit Rama foli për arsimin profesional ku tha se në këtë sektor janë bërë mjaft investime, por ka ende për të bërë. Rama tha se nxënësit që mbarojnë shkollën profesionale e kanë më të lehtë të punësohet, ndërsa shtoi se po punohet për krijimin e kolegjeve profesionale, që do të shërbejnë për rritjen e aftësive të nxënësve që zgjedhin një profesion të caktuar. Rama tha se kolegji profesional do të jetë diçka e ndërmjetme mes shkollës së mesme dhe universitetit.

“Shkollat e arsimit profesional ju jeni dëshmitarë që ishin katandisur si mos më keq, nuk kishte asnjë lloj infrastrukture dhe më shumë shërbenin si rifuxho për nxënësit që shkonte në këto shkolla thjeshtë për të thënë se po e bëjmë. Ne synuam një ndryshim të sistemit, atij dual gjerman dhe më pas bënë ecjen paralele në shkollë dhe sipërmarrje që i jep mundësi që individi dhe sipërmarrja të ndërveprojë mes tyre dhe menjëherë pas shkollës ata të përfshihen në tregun e punës. Investimet janë të pamjaftueshme për të dhënë se është i plotësuar në çdo hallkë, pasi ka ende shumë për të bërë. Ajo që është inkurajuese është që nxënësit e shkollave profesionale kanë një avantazh dhe e kanë më të ehtë punësimin dhe më të shpjet se ata që mbarojnë edhe universitetet. Po punojmë që të shtojmë një tjetër hallkë atë të kolegjeve profesionale në mënyrë që nxënësit të rrisin dijet dhe aftësitë e tyre, përmes kolegjeve profesionale që janë një hapësirë e mes shkollës së mesme dhe universitetit”, tha Rama.