Nga Alfred Peza
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëshmuar sot edhe njëherë, se janë jo vetëm partneri kryesor strategjik i Shqipërisë, por edhe mbështetësi kryesor për reformën historike në drejtësi. Përveçse e kanë asistuar dhe garantuar ecurinë e saj, në çdo kohë dhe hallkë të procesit, Departamenti i Shtetit na ka bërë një nder të madh. Ka identifikuar me emër dhe mbiemër, jo vetëm dy simbolet më përfaqësuese të kësaj reforme, por edhe armiqtë e saj politikë.
Njëri prej këtyre simboleve, është përcaktuar si armiku Nr. 1 i kësaj reforme brenda sistemit, nga fillimi e deri në nisjen e zbatimit të saj. E ai ishte Adriatik Llalla. Më 14 shkurt 2018 ka qenë Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, ai që firmosi futjen e ish Kryeprokurorit të Republikës dhe familjarëve të tij më të afërt, në listën e zezë të personave që u ndalohet hyrja për në SHBA. Me motivacionin: “Për shkak të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni”.
Ndërsa sot plot tre vjet më pas, është përcaktuar edhe mbrojtësi Nr. 1 i kësaj reforme, tani gati në përfundim të punës për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. E ai është gjykatësi i njohur Ardian Dvorani, i cili është nderua nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, me çmimin “Kampion i Anti-Korrupsionit”. Me motivacionin: “Si mbështetësi kryesor i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë”.
Me këtë rast vlerësohet se “gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të reduktuar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuan në vendimin e BE-së në mars 2020 për të hapur negociatat për pranimin e Shqipërisë”. Ky është një mesazh shumë i fortë dhe i drejtpërdrejtë, për ata liderë politikë në Tiranë, që bënë gjithçka për ta penguar këtë proces.
Kujtojmë e Dvorani ka qenë në krye të KED (Këshilli i Emërimeve në Drejtësi) në kohën që ngriheshin institucionet e sistemit të ri, duke u bërë shënjestra kryesore e sulmeve politike, mediatike dhe deri personale nga Presidenti i Republikës Ilir Meta e ish Kryeministri Sali Berisha në veçanti dhe opozita e propaganda e saj në përgjithësi.
Fakti që miqtë më të afërt të Adriatik Llallës në pushtetin politik, ishin edhe armiqtë më të egër të Ardian Dvoranit, është prova më e mirë për tu kuptuar nga të gjithë, se kush është në anën e kujt në këtë histori. Sikundër është edhe një dëshmi më shumë, sesa i varur nga politika ka qenë ish Prokurori i Përgjithshëm e për rrjedhojë, edhe i gjithë sistemi i vjetër i drejtësisë në vend.
Kushdo mund të kuptojë më mirë pas kësaj, se përse pikërisht në këtë hark kohor kur po shembej drejtësia e vjetër dhe po ngrihej sistemi i ri, opozita dogji mandatet dhe doli nga sistemi parlamentar dhe politik i vendit. Përse gjuhej me çizme dhe gati u dogj goina e Parlamentit, ndërkohë që zhvillohej seanca për largimin e Adriatik Llallës dhe zëvendësimin e tij me Prokuroren e Përgjithëshme të Përkohëshme, Arta Marku.
E ndërsa Adriatik Llalla është sot në bankon e të akuzuarve, në pritje të gjykimit për një mal akuzash tepër të rënda të ngritura për të nga Prokuroria, Ardian Dvorani ka një tjetër fat. Ndryshe nga armiku Nr. 1 i reformës në Drejtësi, mbrotjësi Nr. 1 i saj përballoi me dinjitet jo vetëm sulmet, por e kaloi me sukses edhe procesin e vettingut duke dëshmuar pastërti figure dhe integritet të lartë. E ndërsa Llalla pret të përballet me drejtësinë e re, Dvorani vijon ti shërbejë asaj si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Administrativ.
Çdo ndryshim kaq i madh dhe rrënjësor, siç është shembja e drejtësisë së vjetër dhe ngritja e së resë, ka armiqtë dhe heronjtë e saj. Momenti përcaktues që e ngriti Dvoranin në këtë piedestal, ishte koha kur në krye të KED, u vendos në qendër të polemikave në vjeshtën e 2019, lidhur me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Ilir Meta e akuzoi atë si përgjegjësin kryesor të përplasjes mes institucionit të Presidencës dhe Parlamentit, për emërimet e disa anëtarëve të kësaj Gjykate.
Ky institucion është ringritur tashmë dhe ka filluar punën, si edhe institucionet e tjera, të sistemit të ri të drejtësisë. Jo vetëm Adriatik Llalla por askush tjetër, nuk mundi që ta ndalonte dot, jetëzimin e vullnetit të mbi 90% të shqiptarëve. Çmimi për Dvoranin, më shumë sesa një vlerësim për të personalisht, ishte një goditje vdekjeprurëse për të gjithë armiqtë politikë të reformës në drejtësi. Pas SHBA, mbetet që edhe shqiptarët, ti japin çmimin e tyre më votë më 25 prill.