Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka zhvilluar një vizitë në familjen e Alfred dhe Bujar Haxhiut, të cilëve do t’u rindërtohen shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Spiropali thekson se shtëpitë e Alfred dhe Bujar Haxhiut, janë vetëm 2 nga 300 njësitë individuale të banimit që do të ndërtohen në zonën e Vorës. “Tërmeti s’kemi çfarë i bëjmë, por ato që mund të bënim ne, Kryeministri, pushteti lokal, bashkia, Këshilli Bashkiak dhe të gjitha dhe besoj të gjitha i kemi bërë në kohë që t’u vijmë në ndihmë. Nuk ka qenë e lehtë fare pasi janë 11 bashki, 3 qarqe dhe një dëm kolosal shumë i madh”, tha Spiropali.
Spiropali shtoi se “po të gjykosh, sasia e ligjeve, e akteve të bëra, e vendimeve të qeverisë, e parave që janë gjendur, të fondeve që janë ngritura është një përpjekje gjigante që njerëzve të mos ju mungojë as bonusi i qirasë, as dëmshpërblimi, as shtëpia. Kryeministri në Konferencën e Donatorëve pati sukses i bindi ata, paraqiti një projekt serioz që u ngritën këto fonde se ku do të gjendeshin. Duhej të merrej vendimi, duhet t’i lëmë këta njerëz ta bëjnë vetë shtëpinë apo do t’i gjejmë ne për ta. Kryeministri vendosi, do t’i nxjerr nga dheu dhe ia doli”, tha ministrja. Të zotë e shtëpisë u shprehën se “jemi një fis që u diskreminuam nga pushteti i mëparshëm i bashkisë që kishte opozita. E sollën rrugën deri te njerëzit e vet dhe e ndërprenë”.