30 vite më parë mijëra qytetarë shqiptarë të revoltuar përmbysën bustin e diktatorit Enver Hoxha në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë.
Rrëzimi i bustit të diktatorit u iniciua nga greva e urisë e ndërmarrë nga qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Ajo lëvizje shënoi edhe rënien e sistemit komunist në Shqipëri. Shqipëria u shkëput nga e shkuara dhe nisi një “epoke” të re, ajo e demokracisë.
Ish-deputetja Rajmonda Bulku ka rrëfyer kujtimet e saj për atë ditë, ku është shprehur se jo i gjithë populli ishte i gatshëm për ndryshim, pasi disa besonin se ishin mirë dhe s’kishte pse të rrëzohej Ramiz Alia.
Përpjekjet në atë kohë për ne ishin një shok psikik, sepse nuk ishim mësuar se çfarë ishte greva. Grevë mund të kishin bërë të burgosurit politike, të cilat ne nuk i dinim kurrë. Nuk na i tregonte askush, aq më tepër që në atë kohë në grevë urie ishte futur rinia dhe pjesa më intelektuale e rinisë, studentët. Janë të rinj për ata që janë prindër, janë fëmijë, janë intelektualë në fillimet e jetës së tyre dhe janë e ardhmja e vendit. Ishte sa impresionuese, sa shokuese, aq edhe të tërë u bëmë njësh me këtë gjë.
Nuk ishte gati i gjithë populli për ndryshim. Kishte mosbesim, por kishte dhe natyra të ngurta që akoma besonin se ishim më mirë dhe nuk kishte pse të rrëzohej Ramiz Alia.
Kishte shumë familje të tilla në atë kohë. Ashtu siç kishte edhe studentë aty brenda. Kjo ishte luftë e tyre. Megjithatë, ata treguan se ishin gati të merrnin përsipër dhe të bënin atë sakrificë që nuk ishte bërë në më shumë se 40 vjet të diktaturës. Ishte një guxim dhe ishin ata që në fund të fundit duhet ta bënin, ata që do të merrnin stafetën dhe do ta bënin këtë vend. Rinia ishte e bindur që duhet të lëvizte”, tha Bulku në Ora News.