Nga Mitro Çela/
Pasi “kullota” për 10 vjet si gazetar, më dhanë “nishanin” e shefit të sektorit ekonomik në gazetën “Zeri I popullit”. Në ato vite kryeredaktorit të gazetës, Arshin Xhezo, I vinin dy buletine nga ATSH-ja. I pari me lajme bajate nga vendi, qarkullontë zyrë me zyrë. I dyti, quhej “Buletin I verdhë”.
Top Sekretët vetëm për udhëheqjen e partisë. Botohej me letër të veçantë, më ngjyrë të zverdhur. Kishte artikuj të përkthyera nga gazeta franceze, italiane, angleze dhe amerikane. Herë pas here, kryeredaktori më ftonte në zyrë dhe më jepte për të lexuar “Buletinin e Verdhë”, pasi përsëriste avazin:”Kujdes shoku Mitro! Përtypi materialet si njeri, dhe mos i ripërtyp si bagëti, për t’i treguar në pazar. Mos kuvendo as me gruan?!”
Një natë, unë ja hapa barkun gruas. E bëra këtë mëkat, thjeshtë nga dashuria… Ishte mes shkurti 1983. Mes “Buletinit të Verdhe” gjeta një artikull për Shën Valentini. E këndova dy herë për ta fiksuar në tru. U ktheva vonë në shtëpi. Nisa t’i tregoj ezmeres sime lezet me kripë:
-Në Romë, Paris a Londër, më 14 shkurt bëhet një festë e rrallë. Quhet “dita e të dashuruarve”. Të dashuruarit i falin njeri tjetrit trëndafila të kuq.
-Trëndafila? Pse edhe në Romë dyqanet janë bosh, si në Tiranë?!
-Kush të tha që në Tiranë dyqanet janë bosh? E lexove “Zëri I popullit” kur u botua lajmi se Meksika na dha medaljen për ushqimin bio të popullit?
Kur u futëm në krevat, vazhdova tregimin…Në Romë kanë jetuar dy Valentinë. Njeri prift. Tjetri peshkop. Prifti jetoi në shekullin e tretë. Peshkopi në shekullin e katërt. Kishin tre gjëra të përbashkëta. Emrin: Valentin. Vdekjen më 14 shkurt. U vranë në Romë, në rrugën Flamini. Të dy vendosnin kurora për martesë. Bënin “paqe” mes çifteve të “thartuar” me njeri tjetrin. Bënin dhurata për të varfërit. Në shkrimet fetare gjendet edhe një letër me këtë tekst:
“Një ditë, peshkopi ose prifti Valentino dëgjoi përtej gardhit të kopshtit , dy të rinj që po grindeshi. Pasi dëgjoi bisedën, njeriu I Perëndisë këputi dy trëndafil dhe doli nga kopështi. Një trëndafil ja dha djalit. Tjetrin vajzës. Pastaj u tha disa fjalë zemre. Kaq mjftoi dhe vendin e sherrit e zuri dashuria…”
Me kalimin e viteve, bëmat e priftit dhe peshkopit u shkrinë në një legjendë… Në vitin 498 papa Gelasio, e kosideroi 14 shkurtin si festën e Shën Valentinit, ditën e të dashuruarve.
Zonja ime nuk foli. Ra në mendime. Pse vallë?…E nuhata…Në “Ditën e të dashuruarve” nuk dhurohen vetëm trëndafila. Lulet janë si simbol për të kujtuar Shën Valentinin. Më 14 shkurt burri i jep gruas një darkë në restorant. I blen një palë këpucë allafrënga. Ndodh që më 14 shkurt gruaja “ngjiz” një fëmijë si dhuratë për burrin e dashur…Në vendet kapitaliste dhuratë mund të jetë edhe një makinë, një vilë…
-Po prindërit, mund të quhen si dhuratë për burrin.- Tha zeshkania duke përplasur qepallat.
-Nuk të flas dot. Është nga dhuratat e rralla, që nuk ka gjetur vend në “Buletinin e Verdhë”. Por në Japoni ka diçka të veçantë. Bëhen dy festa. 14 shkurti është për vajzat e dashuruara. Ato blejnë çokullata dhe ua dërgojnë djemve. 21 shkurti është dita e djemve të dashuruar. Quhet “Dita e bardhë”. Në se djali e dashuron vajzën që I ka dërguar një kuti me çokullata, duhet ti bëjë një dhuratë tepër të shtrënjtë. Është ky “sebepi” që dhuratat e djemve janë më me pakicë?!
-Kam një ide,- më thotë zonja.-Nesër është e diel. A nuk shkojmë në Shkodër të hamë një tavë karapi? Ta llogaris si dhuratë për 14 shkurt…
Para se të nisesha për në Shkodër, mora në telefon Masar Zekën, shefi i seksionit të tregëtisë. …Në orën 14 zumë vend në një lokal karshi “Kafes së Madhe”. U bëmë katër çifte. Mes tyre edhe Tano Banushi, miku im dhe fis me Ezmerkën. Mbi tavolinë kishte turshi, djath, qepë, byrek, vishnjak. Nxorra nga çanta dy shishe vere “Sheshi i Zi”. I kisha “peshqesh” nga drejtori i tregtisë në Përmet…Mbushëm gotat. “Fillojmë,- thashë unë,- sa të bëhet tava e krapit…”
Shkodranët panë njeri tjetrin në sy. Tano Banushi mori gotën dhe tha:
-Gëzuar! Krapi ka cofur. Mishi ka dek. Guzhinës I kanë vënë drynin. Gjërat mbi tavolinë I sollëm nga shtëpia. Për qejf. Ku ka ik krapi?… Do u tregoj një histori. Në vitin 1979 erdhi për vizitë në Shkodër Mehmet Shehu. Kryeministër. I thartë si burrë shteti. Bëri një takim me peshkatarët. Plani ishte realizuar vetëm 35 përqind. Hata e madhe. Kryeministri ulëriu. Kërkonte shkaqet. Nuk u bind. Kur mbaroi mbledhja, drejtori I peshkimit I thotë kryemnistrit:
-Do dëshëroni të pini një kafe?!
-Miku nuk pyetet,- tha shoku Mehmet.
-Jeni mik me huqe ju, shoku kryeministër?!
Qeshën të gjithë. Më shumë kryeministri. Duke përfituar nga gazi, mes avujve të kafesë turke, drejtori e mori përsëri fjalën:
-Shoku Mehmet! Në mbledhje më mbeti merak pa të thënë një barcaletë që tregon Shtjefën Palushi…Ndërmarrja e peshkimit duhet ti marrë pashaportat krapit, që peshku të mos arratiset në Malin e Zi…
Kryeministri në fillim u zverdh. Pastaj u nxi në fytyrë. U ngrit në këmbë dhe sokolliu:
-Si guxon të tallesh me pasaportën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë?!
E la kafen përgjysëm…Një ditë më vonë erdhi fermani: Drejtori i peshkimit u shkarkua!…