Varianti i COVID-19, i shfaqur fillimisht në Britaninë e Madhe, vlerësohet të jetë përgjegjës për rreth 20 deri në 25 % të rasteve në Francë, sipas zyrtarëve francezë. “Në krahasim, variantet nga Afrika e Jugut dhe Brazili janë prapa me vetëm 4 deri në 5 % në të gjithë vendin”, tha ministri i Shëndetësisë Olivier Veran.
Departamenti lindor i Moselës ka regjistruar një numër veçanërisht të lartë të rasteve me rreth 300 infektime të gjurmuara të varianteve braziliane dhe afrikano-jugore vetëm në katër ditët e fundit.
Gjatë disa javëve të fundit, Franca ka pasur një shtetrrethim të rreptë çdo natë duke filluar nga ora 18:00, por nuk ka kufizime të përgjithshme gjatë ditës. Pak më shumë se 21 000 raste të reja u raportuan sot në 24 orët e fundit. Që nga fillimi i pandemisë, mbi 80 000 persona kanë humbur jetën.