Në pamje të parë, lajmet për vaksinën e koronavirusit të Janssen Pharmaceuticals dukën zhgënjeyese.
Në 29 janar, kompania, një divizion i gjigantit farmaceutik Johnson & Johnson, njoftoi se vaksina e tij ishte 66% efektive ndaj rasteve të moderuara deri të rënda të COVID-19, një rezultat i dobët krahasuar me 95% të efektivitetit që Pfizer-BioNTech kishte njoftuar për vaksinën e saj, ose 94% të Modernës, thotë VOA. Por këto shifra për efektivitetin fshehin një aspekt të rëndësishëm: Vaksina ishte në fakt shumë e efektshme kundër rasteve më serioze.
“Asnjë afrikano-jugor nuk përfundoi në spital. Asnjë afrikano-jugor që mori vaksinën nuk vdiq”, tha drejtori për zhvillimin dhe studimet i kompanisë Janssen, Mathai Mammen. Lajmi tërheqës ishte se vaksina ishte 85% efektive kundër të gjitha formave të rënda të sëmundjes në të gjitha vendet e studimit, në Afrikën e Jugut, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.
“Nëse vaksinat mund të parandalojnë të sëmururit rëndë dhe vdekjen, kjo e ndryshon rrënjësisht panoramën“, tha Jennifer Nuzzo, studiuese në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore. Shndërrimi i COVID-19 nga një sëmundje që mund të jetë vdekjeprurëse në një ftohje të thjeshtë e “ndryshon përllogaritjen tonë se sa kërcënim paraqet virusi“, shprehet ajo duke shtuar se beson që edhe me shfaqjen e varianteve të reja, vaksinat ekzistuese, së bashku me maskat dhe distancimin fizik funksionojnë mjaft mirë për ta bërë më shpresëdhënëse se po hyjmë në rrugën e normalitetit.