Vijon hemoragjia e largimeve në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kryetarja e LRI-së, Xheni Gjergji dhe koordinatorja e të rinjve gjimnazistë, Romina Meçe, që të dyja ish-drejtuese të rëndësishme në Njësinë 9, së bashku me disa të rinj, ish-anëtarë të tjerë të kësaj force politike, e kanë braktisur LSI-në për t’u bashkuar me Partinë Socialiste.
“Jam 27-vjeç, kam studiuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës për ekonomik. Vij si ish-kryetare e LRI-së në Njësinë 9. Jam marrë edhe me pjesën e Sekretariatit Organizativ në fushatën e 2017-ës. Të gjithë këta të rinj që janë sot këtu, janë shkëputur për shkak të zhgënjimeve dhe të përdorimit familjarisht. Ndaj, vendosëm që të gjithë bashkë t’i bashkojmë forcat,” u shpreh Xheni Gjergji, në takimin me të rinj që iu bashkuan PS.
“Unë jam 20-vjeç, në vitine e 3-të tek Universiteti Bujqësor i Tiranës. Kam qenë e angazhuar me LRI-në për gjimnazet. Euforia për të punuar, por dhe mundësia për një të ardhme më të mirë më sollën këtu,” pohoi Romina Meçe.
Veliaj përgëzoi të dyja vajzat për vendimin e marrë, të cilin e quajti të duhurin. “Ju falenderoj me gjithë zemër! E them vërtet këtë sepse e di që ka qenë një vendim i vështirë, i cili nuk është marrë si një kafe ekspres që e bën për 2 minuta, por si diçka që është bluar dhe mirëmenduar. E di fare mirë lumin e sharjeve dhe të ofendimeve – kur iu shërbeje këtyre partive private dhe familjare je më i miri në botë, por kur do të interesohesh për familjen tënde, për familjen e qytetit, të quajnë llum. E di edhe sa toksik është ky mjedis. Është çmimi që paguan kur ti angazhohesh në këtë vend. Kush guxon dhe merr një vendim ndryshe nga turma histerike, linçohet. Megjithatë, lajmi i mirë është që në fund e mira dhe e drejta fiton, puna e mund gjumin, dashuria e mund dhunën, afeksioni për njëri – tjetrin i mund të gjitha këto helme,” u shpreh Veliaj.