Duke filluar nga dita e enjte, datë 11 shkurt, do të hyjnë në fuqi masat e reja të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë publike vendimet më të fundit që do të jenë në fuqi për dy javët në vazhdim. Ndalimi I qarkullimit do të fillojë në orën 20:00, baret dhe restorantet do të mbyllen pas orës 20:00, shkollat e mesme në bashkitë me riskun më të lartë do të jenë online dhe sezoni i provimeve për studentët do të zgjatet. Masat do të jenë në fuqi për dy javë dhe do të
“Dy javët e ardhshme janë vendimtare. Janë vetëm dy javë dhe nga gjithësecili kërkohet një sakrificë. Janë dy javë kur zinxhirit të infeksionit duhet t’i vëmë përballë zinxhirin e solidaritetit mes nesh, mes qytetarëve dhe autoriteteve shëndetësore. Zbatimi i masave në dy javët e ardhshme, do të vendosë nëse do të kemi shtrëngim të mëtejshëm të tyre, apo do të kemi lehtësim”, tha Manastirliu.
Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico, duke folur për situatën epidemiologjike tha se aktualisht ka një dinamikë të re në infektimet me COVID19, ku vërehet një rritje e të infektuarve në grupmoshat 15-24 vjeç.
“Situata epidemiologjikë në 3 javët e fundit ka një tendencë në rritje të rasteve të reja të konfirmuara me covid19, vecanërisht e shprehur në javën e fundit. Të dhënat tregojnë se përvec rritjes në grupmoshat nga 45-64 vjeç, në javët e fundit ka një rritje të incidencës tek grupmosha 15-24 vjec. Mesatarja e rasteve ditore në javën e fundit, krahasuar me javën paraardhëse, është rritur nga 836 në 1030. Edhe faktorët e tjerë si, numri i të shtruarve në spitale dhe në terapi intensive kanë pësuar rritje, ndërsa mosha mesatare e shtrimeve në spitale është ulur”, tha Fico.
Duke folur për variantet e reja të virusit, Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, prof. Silva Bino tha se ka dyshime se në vend kanë hyrë të dyja mutacionet e Covid 19, si ai i Mbretërisë së Bashkuar ashtu edhe ai i Afrikës së Jugut.
“Ne vijojmë dërgimin e mostrave. 50 monstra po dërgohen në Institutin e Shëndetit Publik të Anglisë që janë edhe laboratore reference. Ne kemi dyshuar për këto mostra për mutacion. Të dyja llojet e mutacioneve qoftë i Mbretërisë së Bashkuar, qoftë ai i Afrikës së Jugut. Këto mostra po testohen. Ne po ashtu presim metodologjinë e re që të na vijë sot nga Turqia, metodë që po zbatohet edhe në Norvegji dhe do të na lehtësojë punën për t’i dalluar më mirë këto mutacione”- tha Bino.
Në mbledhjen e rradhës të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Shefja e Spitalit Infektiv, prof. Najada Çomo ka bërë një pasqyrim të situatës së shtrimeve në spitale, duke bërë me dije se ka një shtim të numrit të shtrimeve në moshat e reja.
“Kemi një shtim të numrit të rasteve të shtruar në spitale. Është shtuar numri i moshave të reja dhe kemi edhe forma të rënda të shtrimeve në spitale, shoqëruar edhe me humbje jete. Fluksi i shtrimeve në spitale vijon të jetë i përballueshem por i shtuar në numra”, tha Çomo.
Në mbledhjen e sotme, Komiteti Teknik I Ekspertëve vendosi masat e mëposhtme:
Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
Shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.
Vendimet e sotme, të cilat hyjnë në fuqi duke filluar nga dita e enjte, do të rivleresohen pas dy javësh, në varësi të situatës epidemiologjike.