Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi solli sot në vëmendje historinë e një të reje, e cila pas një eksperience 7 vjeçare në sektorin privat së bashku me të shoqin në 2015 ngritën serrën e tyre me fidanë, prodhimet e së cilës eksportohen në tregun e Holandës.

“Unë kam mbaruar menaxhim biznesi në Universitetin e Tiranës dhe për 7 vite punova në një bankë private. Erdhi një moment dhe u mërzita, desha të bëja diçka që të më pëlqente, të bëja diçka ndryshe. Një ditë vendosa të kërkoja në internet për kulturat bujqësore, diçka të veçantë dhe që nuk para mbillej në Shqipëri. Fillimisht kërkova për luleshtrydhen, por menjëherë kuptova që kishte shumë prodhim. Duke vazhduar me kërkimin, më doli mjedra. Një frut jo shumë popullor në vendin tonë, por që në fakt kishte vetëm një prodhues në Divjakë. Bashkë me bashkëshortin i hipëm makinës dhe shkuam ta takonim. Sapo pamë fermën, u mrekulluam që në çastin e parë në kontakt me këtë lloj fruti. Nga takimi dolëm shumë të kënaqur, ata po kërkonin fermer që të bashkëpunonin dhe kështu në kthim për në shtëpi, patëm një mijë pyetje në kokë. Të dy po merrnin guximin të dilnim nga zona jonë e komfortit, familja dhe miqtë na shikonin si të çmendur për këtë hap që vendosëm të ndërmerrnim”, tregon ajo.

Ajo vijon historinë e saj ku shprehet se, “në 2015 jeta jonë do të ndryshonte njëherë e përgjithmonë. Tashmë orët e stresit të zyrës në bankë, sa hap e mbyll sytë u zëvendësuan me kohën që kalonte pakuptuar në serrën e parë që ndërtuam. Meqenëse ishte edhe fundi i vitit, e kam të fiksuar mbjelljen e fidanëve të parë me datë 30-31 dhjetor. Për çudinë tonë gjithçka nisi mirë, që në 2 vitet e para të prodhimit arritëm që të gjenim treg në Holandë, ndërkohë me ngadalë po rritej kërkesa edhe këtu ne vend për mjedrën. Me shtimin e kërkesës, duhej gjithashtu të shtonim sipërfaqen e tokës për të mbjellë më tepër dhe me standarde. Kështu aplikuam në skemat e mbështetjes që ofrohet nga shteti dhe arritëm të ndërtonim serra që plotësonin kushtet për këtë lloj varieteti që ne po prodhojmë”.

Ajo tregon se aktualisht në serrën e ngritur janë angazhuar si familje dhe gjatë kulmit të punës punësohen punëtorë sezonal që arrijnë 15-20 veta. “I gjithë informacioni që kishim për mbjelljen dhe proceset që duhen ndjekur i morëm nga interneti, ndërkohë gjatë bashkëpunimit që patëm me holandezët na mësuan shumë se si duhet të punonim. Aktualisht jemi angazhuar si familje, por gjatë kulmit të punës punësojmë punëtorë sezonale që arrijnë 15-20 veta. Kohët e fundit vendosëm të shkonim në Verona të Italisë ku patëm kontakte me disa kultivues dhe shpresojmë që nga ky vit të fillojmë mbjelljen me fidanët që do na sjellin ata”, përfundon ajo.