Ilir Meta po bën të gjitha përpjekjet për të penguar Edi Ramën që të marrë një mandat të tretë qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Herë përmes kërcënimeve, herë përmes thirrjeve në drejtim të qytetarëve, e herë duke u mburrur përpara miqve dhe këshilltarëve të tij tavolinë më tavolinë se “vetëm i vdekur do ta dekretonte Edi Ramën për një mandat të tretë si kryeministër”, Meta po tenton drejt një skenari të tillë!

Dhe Presidenti Meta ka nisur ethshëm përgatitjen e skenarit ekstraligjor të tij vetëm e vetëm që Rama të mos jetë më kryeministër i vendit.

Një nga skenarët e mundshme është dhe zhbërja e Partisë Socialiste si parti e parë në zgjedhje, nëse nuk i plotëson 71 votat minimale për të qeverisur e vetme.

Këshilltarët politikë e juridikë afër tij e kanë mbështetur Metën në idenë për të bërë një lojë përtej-ligjore e përtej-kushtetuese me koalicionin e faktin se kur koalicioni është i ligjshëm për të qënë bazë ligjore për t’u mandatuar ose jo që të nxjerrë emrin e kryeministrit të ri të vendit.

Një fakt të tillë e ka zbardhur si padashja Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, njëherësh dhe bashkëshortja e presidentit të Republikës Ilir Meta, e cila tha në një emision televiziv(Open) se është e sigurtë që PS nuk del parti e parë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Ke parë ndonjë budalla që futet në garë për të humbur ti. Unë hyj për të fituar”, tha ajo.

Gazetari: Kush e merr mandatin e kryeministrit?

Kryemadhi: Koalicioni që fiton, e keni në Kushtetutë, që pavarësisht se ti nuk shkruan koalicion, por marrëveshjet paraprake quhen koalicion. PS s’del parti e parë.

Ndërkohë që gazetari Arion Sulo, pjesë e panelit, i kujton Kryemadhit se “koalicion quhet ai i cili regjistrohet në KQZ si i tillë dhe certifikohet. Pjesa tjetër janë marrëveshje individesh, të pashkruara dhe që s’kanë asnjë detyrim ligjor”! Kryemadhi nga ana e saj tha se “do ta shohim”!

Pra kreu i LSI me sa duket është e bindur dhe e sigurtë në idenë e saj që ‘koalicion quhet dhe një bisedë mes dy individëve’, siguri që që buron nga presidenti i Republikës!

Kështu, Ilir Meta bashkë me bashkëshorten e tij kryetare të LSI quan koalicion ndoshta marrëveshjen e arritur mes PD dhe LSI për bashkëqeverisje në vitin 2019, në kulmin e protestave të dhunshme kur partitë e opozitës dogjën mandatet dhe dolën nga Kuvendi.

Ndërkohë që tani nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për të nënshkruar dhe për ta regjistruar në KQZ koalicionin, për zgjedhjet e 25 prillit 2021, si dhe për të dalë me një listë unike koalicioni në zgjedhje sipas ndryshimeve të reja të Kushtetutës.

Skenari i Metës, i “zbuluar” nga Kryemadhi është i qartë: Nëse PS nuk merr 71, ndërsa partitë e opozitës që kanë hyrë veç e veç në zgjedhje arrijnë të gjitha bashkë 71 mandate, emri që do të mandatohet i pari për kryeministër dhe formuar qeverinë e re nuk do jetë nga PS si parti e parë!

Ilir Meta, në një rast të tillë do të mandatojë një përfaqësues të opozitës për kryeministër dhe formuar qeverinë e re, me argumentin se e lejon Kushtetuta dhe neni 96 i saj për të mandatuar partinë e parë ose koalicionin që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

“Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në pikën 1 të nenit 96 të Kushtetutës.

Pavarësisht se opozita s’ka asnjë marrëveshje koalicioni, dhe kanë hyrë secila për hesap të vet, sikurse dhe vetë PS, partia qeverisëse e mazhorancës, Meta do të mbështetet tek “pëlqimi” parazgjedhor i PD e LSI për të bashkëqeverisur. Ndonëe se s’kanë firmosur për koalicion dhe nuk kanë dërguar asgjë në KQZ. Të cilin Meta ka vendosur dhe atë të mos e marrë për bazë!

Pra, Meta tenton ta vendosë para faktit të kryer Edi Ramën në rastin kur PS s’merr 71 deputetë, duke mandatuar kreun e opozitës për të formuar qeverinë e re dhe duke urdhëruar mbledhjen me urgjencë të Parlamentit të ri.

Një skenar i rrezikshëm që mund të zhysë vendin në krizë, nëse janë këto raporte zgjedhore!

Kushtetuta/ Neni 96

1.Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i

Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose

koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

2.Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti

emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve.

3.Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi,

brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti

emëron Kryeministrin e ri.

4.Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës

shpërndan Kuvendin. (TemA)