Sondazhi zgjedhor i Euronews Albania në bashkëpunim me kompaninë MRB ofroi mbrëmë disa të dhëna lidhur me popullaritetin e liderëve politikë në vend.
Siipas organizatorëve, sondazhi anketoi 1600 persona me të drejtë vote në 12 zona elektorale urbane dhe rurale në të gjithë Shqipërinë gjatë periudhës 22 dhjetor-31 janar.
Tematikat e pyetjeve qenë të lidhura me performancën e qeverisë, performancën e partive politike, popullaritetin e liderëve politikë dhe vlerësimin për çështjet operacionale në Shqipëri.
Ky sondazh thotë se të pyetur sa i përket performancës së liderëve, të anketuarit u përgjigjën si më poshtë:
Edi Rama (49.1% pozitiv; 50.5% negativ);
Lulzim Basha (35.4% pozitiv; 63.9% negativ);
Monika Kryemadhi (20.7% pozitiv; 78.6% negativ);
Në ndarjen gjinore, burrat vlerësuan më tepër negativisht Edi Ramën, ndërsa për liderin e PD, Lulzim Basha burrat kishin mendimin më pozitiv në raport me gratë.
Tek kryetarja e LSI, pati diferencë mjaft të vogël në ndarjen gjinore për pëlqimin dhe mospëlqimin.
Indeksi i popullaritetit, që përpjesëtoi përgjigjet e pëlqyeshmërisë në raport me prirjen e votave për partitë, zbuloi se lideri i PD, Lulzim Basha ishte më i pëlqyer se partia (indeksi 126), kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ishte dyfish më e pëlqyer se partia që përfaqësonte indeksi 201), ndërsa kryetari i PS, Edi Rama pati raportin më të vogël parti/pëlqyeshmëri në indeks (118).