Në kuadër të procesit të rindërtimit të banesave dhe objekteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëherazi Drejtuese Politike e PS, znj. Elisa Spiropali ishte sot në Paskuqan ku inspektoi nga afër punimet për ndërtimin e banesës së Qemal Dragoshit.
Familja prej 5 anëtarësh e Qemal Dragoshit është një prej 63 familjeve të zonës, shtëpitë e të cilëve do të rindërtohen nga themelet, më të forta dhe më të sigurta, ndërkohë që vetëm në bashkinë Kamëz do të jenë 20 shkolla e kopshte të reja që do të hapin dyert deri në mbarimin e rindërtimit.
Gjatë bisedës me Qemal Dragjoshit, znj. Spiropali u shpreh se vijon puna pa ndërprerje që të dëmtuarit nga tërmeti të mund të futen sa më shpejtë në shtëpitë e tyre, ndërkohë që vijon mbështetja e qeverisë me bonuse qiraje dhe dëmshpërblime.
“63 shtëpi po ndërtohen vetëm në Paskuqan në fazën e pare. Kryeministri mori vendim historik për të shlyer të gjithë dëmin e tërmetit. Bonuse qeraje. Dëmshpërplime. Shtëpi dhe lagje të reja. Dhe ja ku po i bëjmë; Se janë dhe ata të banaqeve dhe të kanalave që thonë se ku i keni shtëpitë nga mëngjesi në darkë; Ja ku janë shtëpitë”, u shpreh znj. Spiropali.
Edhe më herët, ministrja Spiropali ka deklaruar se tashmë ka nisur puna për rindërtimin nga e para të 4500 njësive individuale të banimit në 11 bashki të vendit, të cilat pësuan dëmet më të mëdha nga fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit. Znj. Elisa Spiropali ka bërë të ditur se njëherazi në disa bashki po punohet pa ndërprerje edhe për ndërtimin e lagjeve të reja, të cilat janë konceptuar si hapësira moderne urbane.