Studimi i parë i madh në realitet, i vaksinës së Pfizer dhe Biontech, që është verifikuar në mënyrë të pavarur, tregon se ajo është shumë efikase në parandalimin e koronavirusit. Studimi vjen në një moment historik për vendet e dëshpëruara që presin t’i japin fund izolimeve dhe për të rihapur ekonomitë.
Deri më tani, të dhënat mbi vaksinat e koronavirusit kanë ardhur pas testeve klinike të kryera në kushte të kontrolluara, duke lënë një element pasigurie se si rezultatet do të përktheheshin në realitet. Kërkimi në Izrael, dy muaj pas një prej imunizimeve më të shpejta në botë, prodhon të dhëna të kënaqshme dhe tregon se dy dozat e vaksinës së Pfizer i reduktojnë rastet simptomatike në masën 94 për qind në të gjitha grupet e moshës dhe sëmundjen e rëndë në një masë të përafërt.
Studimi me rreth 1.2 milionë njerëz, tregoi se një dozë e vetme ishte 57 për qind efikase në mbrojtjen kundër infektimeve simptomatike dy javë pas administrimit të saj. Rezultatet e studimit të institutit të kërkimeve “Clalit”, ishin të ngjashme me ato të testeve klinike të vitit të shkuar, që zbuluan se dy doza ishin 95 për qind efikase.
Studimi po ashtu sugjeron se vaksina është efikase edhe ndaj variantit të koronavirusit të zbuluar fillimisht në Britani. Kërkuesit thonë se nuk mund të japin një nivel specifik të efikasitetit por varianti ishte version dominues në Izrael në kohën e kryerjes së studimit. Kërkimi sidoqoftë nuk hedh dritë për efikasitetin e vaksinës së Pfizer përballë variantit afrikano jugor, që ka treguar se e redukton efikasitetin e vaksinave të tjera. Nga 9 milionë banorë në Izrael, rreth gjysma e kanë marrë tani dozën e parë dhe një e treta i ka marrë të dyja dozat që nga fillimi i imunizimit më 19 dhjetor.