Një vaksinë që lufton koronavirusin, prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit ul transmetimin e virusit me dy të tretat. Të dhënat u bënë publike të mërkurën nga vetë universiteti. Studimi megjithatë nuk është shqyrtuar nga të tjerë ekspertë të fushës, por sekretari britanik i Shëndetësisë Matt Hancock i tha rrjetit televiziv BBC se gjetjet janë “një lajm i mirë”.
“Kjo i tregon botës se vaksina e Oksfordit funksionon mirë“, tha zoti Hancock. Por gjatë ditëve të fundit vaksina është kritikuar nga të tjera vende evropiane. Disa zyrtarë janë shprehur të shqetësuar në lidhje me mungesën e të dhënave mbi efektivitetin e saj tek të moshuarit.
Organi më i lartë këshillimor shëndetësor i Francës rekomandoi që vaksina të përdoret vetëm tek personat nën moshën 65 vjeç. Në Belgjikë zyrtarë të qeverisë thanë se do t’u jepte vaksinën vetëm atyre nën moshën 55 vjeç.
“Nuk kemi informacion të mjaftueshëm që të themi me siguri se vaksina është e mirë për të moshuarit“, tha ministri belg i Shëndetësisë Frank Vandenbroucke. Shefi i provave klinike të vaksinës së Oksfordit, Andrew Pollard tha për BBC-në të mërkurën se pavarësisht nga mungesa e të dhënave mbi nivelin e efektivitetit të saj, vaksina ofron një përgjigje të mira imunitare tek të moshuarit.
“Vaksina ofron përgjigje të mirë imunitare tek të moshuarit sikurse tek personat e rritur. Mbrojtja që ne shohim është saktësisht në të njëjtin drejtim e në nivel të ngjashëm“, tha zoti Pollard.