Me sa duket ka një ritual pranimi për ekspertët e shëndetësisë, që duan të fitojnë një vend në krah të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në daljet televizive të këtij të fundi. Dhe nuk kërkohet shumë. Mjafton të sulmosh Komitetin Teknik të Ekspertëve. E kanë bërë me radhë, eksperti Dasho dhe ekspertja Ramosaço, ndërkohë që së fundit kësaj radhe i është shtuar edhe një tjetër, Ilir Alimehmeti. Ky i fundit në fakt vitin e fundit ka rënë në sy për mendimet e kopjuara lart e poshtë në lidhje me pandeminë. Mjafton të kujtojmë që të gjitha postimet e tij, fillojnë me “siç e thotë dhe një studim…”, ndërkohë që vetë përgjithësisht nuk mbërrin në konkluzione.

Së fundmi eksperti është përpjekur të hedhë poshtë mendimet e shprehura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, në lidhje me rolin që kanë të rinjtë në përhapjen e infeksionit. E gjithë kjo, duke patur parasysh faktin që ata janë më sfiduesit ndaj masave si mbajtja e maskës dhe distancimi, gjë që vërtetohet prej kronikave të shumta televizive me lokalet e mbushura plot dhe të rinj pa maska. “Mungesa e testimeve shkakton përhapjen e infektueshmërisë”, thotë ai, edhe pse shifrat tregojnë shumëfishimin e tyre. Eksperti për të ilustruar mendimet e tij dhe hedhur poshtë rolin e të rinjve, ka paraqitur një studim kanadez. Duke qenë se u bë e disata herë që eksperti poston studime, nuk mund të mos lindin disa pyetje në lidhje me këtë qasje.

E para, a duhet që ekspertët të jenë thjesht kërkues në Google dhe përkthyes të studimeve, apo dhe interpretues dhe kontekstualizues të tyre, sepse është shumë e rëndësishme që mendimet të përshtaten me realitetin shqiptar? E dyta, a është Kanadaja vendi më i mirë i mundshëm për të krahasuar dhe për të nxjerrë konkluzione mbi Shqipërinë. Fjala vjen, sa shpesh ndodh që në Kanada të shkrepen dhe publikohen fotografi si ato që në mjediset shqiptare janë të zakonshme, me kafe e bare të mbushura plot dhe të rinj që nuk zbatojnë as mbajtjen e maskës dhe as distancën.

E treta, sado e volitshme të jetë përkthimi nga gjuha angleze i studimeve të kryera nga të tjerë, a mos do të ishte më mirë të synoheshin edhe studime, fjala vjen në gjuhën frënge apo spanjolle. Gjithmonë duke patur parasysh që vende si Franca dhe Spanja, mesdhetare dhe me ngjashmëri të madhe të sjelljes njerëzore me shqiptarët, mund të na ofronin disa paralele e më tej konkluzione edhe më realiste? Eshtë e mirëkuptuar vështirësia e ekspertit për gjetjen e studimeve të tilla, por shtimi i përpjekjeve nuk do i bënte dëm. E në fund, sidoqë të ishte, prapëseprapë asgjë nuk do e pengonte ekspertin që të sulmonte Komitetin e Ekspertëve në kuadër të ritualit të iniciimit në Partinë Demokratike. Por të paktën, do të na kishte afruar argumenta të nxjerrë prej realitetesh më të përafërt me tonin. E le t’i shërbente kjo për të fituar karriken pranë kryetarit. Lexo.al/