Numila Kuneshka shefja e pavionit të pediatrisë tha se në këtë strukturë po kryehen teste të shpejta antiCOVID për të mbrojtur fëmijët e shtruar dhe stafin mjekësor.
“Fëmijët të cilët paraqiten në urgjencën e pediatrisë dhe që kanë indikacion të shtrohen në spital do të kalojnë në triazhin për covidn. Këta fëmijë me temperaturë marin tamponin, qoftë tamponin e shpejtë që ne e kemi në urgjencë por që duhet marrë brenda 5 ditëshit të shënjave, qoftë pastaj tamponin PCR. Me ardhjen e përgjigjes së tamponit nëse ai është pozitiv drejtohet në pavionin e infektivit dhe nëse del negativ drejtohet për në pavionet sipas patologjisë. Kjo është bërë për të evituar një përhapje të covid qoftë në pacientët e tjerë të shtruar, qoftë për të mbrojtur dhe personelin shëndetësor”-u shpreh Numila Kuneshka.
Shefja e shërbimit të pediatrisë së përgjithshme tregon se për shkak të frikës së infektimit me COVID është ulur numri i urgjencave pediatrike.
“Numri i fëmijëve që paraqiten në urgjencën e pediatrisë ka një rënie, kjo sepse një pjesë e fëmijëve që shkonin nëpër cerdhe, kopshte mund të mbahen në shtëpi ata që kanë mundësi duke evituar kështu dhe virozat kolektive, por një pjesë për shkak të frikës së covidit bën që prindërit ti menaxhojnë më mirë një temperaturë apo një gjendje të parë të sëmundshmërisë së fëmijës në shtëpi”-tha shefja e pediatrisë së përgjitshme në QSUT.
Gjatë dy muajve të fundit kanë dominuar më shumë infeksionet respiratore të sipërme dhe të poshtme, ndërsa grupmosha më e prekur është nga 5-14 vjeç. Mjekja pediatre ka dhe disa këshilla për prindërit. “Duhet të ruhet fëmija nga prezantimi në ambiente të ftohta. Nëse do drejtohen në cerdhe në kopshte etj mundësisht të jenë ambiente të ngrohura dhe njëkohësisht të marrin sa më shumkë lëngje, një diet sa më të lëngshme dhe të marrin një ushqim sa më të pasur ne vitamina, duke evituar natyrisht dhe kontaktet ose ambientet e mbyllura apo ambientet me shume persona”-këshilloi mjekja pediatre.