1435 qytetarë janë gjobitur gjatë 48 orëve të fundit pasi po lëviznin pa maskë.
Policia e Shtetit
Kontrolle të shtuara për monitorimin e zbatimit të masave anticovid. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, nisur nga rastet e shtuara të infektimeve me COVID-19, kanë intensifikuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë 48 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1435 shtetas që nuk kishin vendosur maskat mbrojtëse.Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me masë administrative 352 shtetas që udhëtonin me mjet pa vendosur maskën mbrojtëse, me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare, si dhe kanë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, 73 drejtues mjetesh që qarkullonin pa autorizimin përkatës pas orës 22:00.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 15 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë dhe janë lënë të lirë. Janë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, 2 administratorë subjektesh që janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 49 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 22:00. Duke filluar nga dita e enjte, datë 11 shkurt, orari i lejuar i lëvizjes për mjetet e këmbësorët dhe për zhvillimin e aktiviteteve të subjekteve do të jetë deri në 20:00. Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për të lëvizur pas këtij orari duhet të pajisen me leje nëpërmjet e-Albania. Në zbatim të masave të reja kufizuese, Policia e Shtetit do vijojë intensivisht kontrollet dhe apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit.