Vazhdojnë telashet për Liverpool. Kapiteni i “The Reds”, Jordan Henderson, rrezikon të mbyllë sezonin. Anglezi u dëmtua në derbin e 20 shkurtit me Evertonin, ku u zëvendësua që në minutën e 30-të të takimit nga Nathaniel Phillips.

Fillimisht u mendua se Henderson do të qëndronte jashtë fushave diku te gjashtë javë, por mesa duket gjendja e tij është më serioze se aq. Sipas raportimit të “The Mirror”, 30-vjeçari i është nënshtruar disa testeve të tjera dhe tashmë koha e rikuperimit të tij është zgjatur dhe me gjashtë javë të tjera.

Kështu, Jordan nuk do të jetë në gjendje të luajë deri në muajin maj, por mund të rrezikojë edhe pjesëmarrjen e tij në kampionatin europian me kombëtaren angleze. Liverpool dhe Jurgen Klopp nuk kanë qenë aspak me fat këtë vit, pasi dëmtimet e shumta i kanë shoqëruar ata që nga fillimi i sezonit.