Nga Alfred Peza/
Lideri historik i socialistëve Fatos Nano, ia doli që të rikthehej në qendër të vëmendjes publike dhe të debatit mediatik, gjatë kësaj jave në Shqipëri. Sekreti qëndron tek artikulimi i disa të vërtetave të thjeshta që pothuajse i dinim të gjithë, por që askush nuk kishte marë mundimin për ti shqiptuar, sepse nuk e kishin jo vetëm tagrin por as edhe staturën.
Në vend që ti përgjigjeshin me të njëjtën mënyrë, me të njëjtin stil komunikimi publik përmes qetësisë dhe argumenteve, histeria opozitare thjeshtë sa ekspozoi një nga momentet më mjerane të propogandës së saj. Sepse as Sali Berisha dhe as Ilir Meta që ishin dy politikanët më të rëndësishëm që u evidentuan nga Fatos Nano në raportet 30 vjeçare mes tyre, nuk arritën ti kthenin qoftë edhe një përgjigje sado të thjeshtë.
Ky ishte triumfi i parë i madh dhe i vërtetë i Fatos Nanos në këtë intervistë. Jo vetëm në aspektin e zhurmës momentale publike e cila do harrohet shpejt si gjithë të tjerat, por për qartësimin e disa raporteve kyçe mes protagonistëve kryesore të jetës politike shqiptare, në epokën postkomuniste. Kjo e bën edhe më të rëndësishëm këtë moment, ndaj edhe jehona e klithmave në emër të dhimbjes për liderin historik demokrat dhe Presidentit të Republikës, vazhdojnë.
Janë mediat dhe propaganda e tyre që vijojnë e vijojnë të meren ende, me të vërtetat e thjeshta e të pamohueshme që artikuloi Fatos Nano, por jo duke dhënë kundërargumentat e tyre. Apo duke e përgënjeshtruar atë. Duke ofruar provat e tyre që mund ti hedhin poshtë apo relativizojnë ato që artikuloi ish Kryesocialisti. Jo. Sepse ato nuk ekzistojnë. Madje ndryshe nga çdo herë tjetër mungon çuditërisht në këtë rast, edhe versioni i tyre i ngjarjeve, sidoqoftë ai.
Kjo e bën edhe më të madhe, më të plotë e më triumfaliste në të gjitha dimensionet e saj, përballjen publike të Fatos Nanos me të vërtetat e tij politike. Ai është kësisoj jo vetë fituesi moral i kësaj përballje mediatike, që ka krijuar një tronditje publike, por edhe në raportet personale me kundërshtarët e tij kryesorë politikë. Të cilët nuk janë as më pak e as më shumë, por dy liderët realë të opozitës së sotme në Shqipëri.
Kjo është arsyeja se përse në mediat opozitare, nga gazetarët dhe analistët pranë saj, propaganda, rrjetet sociale, mediat e reja dhe ato tradicionale që janë të rreshtuar hapur apo “fshehtas” me PD dhe LSI, vijojnë sulmet kundër Fatos Nanos. Ajo që i bashkon të gjithë në këtë pikë, është mjerimi i pamatë dhe i pangushëllueshëm për të gjetur qoftë edhe një pikë melhem, për plagët e pashërueshme të shefave të tyre politikë.
Është ndoshta një nga herët e pakta, që ndodh ky fenomen në mjedisin tonë publik. Jo vetëm debati përmes të kundërtave nuk ekziston, por nuk po ofrojnë dot as një check-im të deklaratave të Sali Berishës përshembull për rolin e tij në arrestimin dhe burgosjen e Fatos Nanos. Apo rikthimi i intervistës së Ilir Metës të bërë në të njëjtin format tek Fevziu, vetëm pak javë më parë, ku thotë gjëra krejt të tjera që u përgënjeshtruan nga Fatos Nano për raportin aktuaktual mes tyre.
Të vetmet “prova”, “argumenta” që janë gjetur dhe po serviren pa kursim deri më sot ndaj ish Kryetarit të PS, janë; sharjet, fyerjet, etiketimet, zhurmat, ofendimet, shpifjet, shfrimet, memet, montimet dhe gjithfarë lloj zhargoni a zhanri tjetër, që nuk ka as edhe një lidhje me thelbin e debatit. Me të vërtetën e madhe, të pjesëshme, apo me të vërtetat sado të vogla qofshin ato. Jo.
Opozitarët tanë kanë kohë që janë larguar nga bota e ideve, duke ju falur kulturës politike të përbaltjes së kundërshtarit politik; linçimit, montimit, shantazhit, kërcënimit, goditjeve poshtë brezit dhe gjyqeve popullore “high tech”, që të kujtojnë kohë të tjera të lëna pas.
Është e vërtetë se i jemi larguar shumë asaj epoke nga pikëpamja kalendarike, por me sa duket, nuk largohet dot ajo mënyra e atëhershme e të bërit politikë nga një pjesë e lidershipit tonë të vjetër. Rasti i debatit të provokuar nga Fatos Nano, tregon se opozita jonë nuk është ende gati që të rikthehet në pushtet, për të qeverisur Shqipërinë e 2030. Sepse nuk mund tia dalësh dot kurrë që të ndërtosh të ardhmen, pa u shkëputur më parë, nga e shkuara!