Rregullatori i barnave në Britaninë e Madhe ka publikuar një raport lidhur me sigurinë e vaksinave kundër Covid. Raporti sugjeron që vaksinat kundër koronavirusit që janë aprovuar në Britani janë shumë të sigurta. Më tej në raport theksohet se efektet anësore që kanë shkaktuar ishin të pritshme. Deri tani janë kryer rreth 7 milionë doza në Britani dhe pak qytetarë kanë shfaqur probleme anësore të lehta.
Deri tani janë raportuar 22,820 persona me efekte anësore si dhimbje të lehtë krahu, në vendin ku injektohet vaksina dhe shenjat e gripit sezonal. Ndërkohë, kërkimet e reja tregojnë se vaksina e AstraZeneca mbron mirë nga varianti i ri ‘Kent’ i Covid.
Shkencëtarët e Oxfordit dhe AstraZeneca, si shumë zhvillues të tjerë të vaksinave Covid, po punojnë që të përmirësojnë vaksinën që ajo të janë efekt dhe kundër varianteve të reja të Covid.
Ndërkohë qeveria e Boris Johnson ka njoftuar se shumë shpejt do të ketë një marrëveshje me kompaninë biofarmaceutike CureVac për të zhvilluar vaksina kundër varianteve të ardhshme. Vaksinat shihen si rrugëdalja nga pandemia dhe të gjitha provat e deritanishme sugjerojnë se ato janë të sigurta dhe efektive.