3D illustration

Varianti i Kentit, varianti i Afrikës së Jugut, varianti i Brazilit – duket se çdo ditë një variant i ri i koronavirusit përhap frikë mes nesh dhe u bie këmbanave të alarmit në të gjithë botën.

Shqetësimi se variante të reja – ende të papara ose të zbuluara – mund të shfaqen nga hiçi, kanë trazuar qeveritë, ndërkohë që disa prej tyre, si Mbretëria e Bashkuar po mendon të mbyllë kufijtë në një mënyrë të paprecedentë.

Në të njëjtën kohë, i ashtuquajturi variant i ri, i quajtur gjithashtu variant anglez, i cili u zbulua për herë të parë në Kent dhe Londër, është fajësuar për një rritje dramatike të rasteve në të gjithë Anglinë jugore, dhe tani po përhapet edhe gjetkë me shpejtësi marramendëse.

Por pse po shfaqen kaq shumë variante tani dhe a duhet të shqetësohemi kaq shumë për to?

Përse ndodhin?

Një virus si SARS-COV-2 riprodhohet vetë duke hyrë në qelizat e njeriut dhe duke u vetëkopjuar. Më pas, këto kopje përhapen tek njerëzit e tjerë. Herë pas here, gjatë riprodhimit ndodh një gabim, që shkakton një mutacion. Kjo grimcë e virusit që ka pësuar mutacion quhet variant i origjinalit. Disa variante kanë një avantazh që i bën më të fortë se të tjerët. Dhe kjo mund të nënkuptojë që, ata bëhen forma dominuese e virusit.

Si ndodhin variantet?

Miliona, në mos miliarda viruse individuale gjenden brenda të gjithë atre që vuajnë nga COVID-19.

Secili, kur hyn në një qelizë njerëzore dhe përsëritet, ka potencialin të prodhojë një mutacion që çon në një variant të ri.

Por shumica jo. Dhe madje shumica dërrmuese e atyre që ia dalin, krijojnë variante që nuk janë domethënëse.

Problemi është kur ndodhin variante që kanë një avantazh, që i bën ato edhe më të rrezikshme për njerëzit.

Pse po shohim më shumë prej tyre tani?

Variantet mund të ndodhin vetëm nëse njerëzit janë të infektuar me virus – sa më shumë njerëz që infektohen, aq më shumë ka gjasa që të ndodhin variante.

Në ditët e para të pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve ishte relativisht i ulët. Tani, më shumë se 100 milion njerëz kanë dalë pozitivë, por shumë më tepër mendohet të jenë infektuar.

Kjo ka bërë që deri më tani të identifikohen mijëra variante – një numër i madh i tyre nga shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar.

Shumica dërrmuese nuk kanë rezultuar domethënëse dhe disa thjesht janë zhdukur.

Por, pasi më shumë njerëz kanë marrë sëmundjen dhe janë përpjekur ta kapërcejnë atë, ekspertët thonë se ka të ngjarë që virusi të ketë pasur më shumë mundësi për të prodhuar variante, që do të jenë në gjendje të luftojnë kundër përgjigjeve tona imune.

Teoria është se, sa më shumë njerëz kanë sëmundjen dhe zhvillojnë imunitet, aq më të mëdha janë gjasat që të ndodhë një mutacion, i cili të jetë në gjendje të anashkalojë mbrojtjen që kemi zhvilluar kundër COVID, dhe të përfundojë si një formë më e rrezikshme e virusit.

Cilat variante njohim deri tani?

Ndërsa janë identifikuar mijëra variante, pak prej tyre janë kuptuar mirë dhe janë gjurmuar plotësisht.

Marrëdhënia e tyre me format e tjera të virusit që qarkullojnë nëpër botë mund të tregohet në atë që njihet si një pemë varianti, ose teknikisht një pemë filogjenetike – një diagramë që tregon historinë evolucionare të një virusi, një lloj peme familjare për sëmundjen.

Ja çfarë dimë ne për pesë nga variantet në pemën e SARS-CoV-2:

DHJETOR 2019, KINË

19A/B (Sars-Cov-2/COVID-19), WUHAN

MARS 2020, SKOCI

N439K/B.1.141, Vendndodhja e panjohur

Si, kur, ku u bë publike?

Në qershor, u raportua se një mutacioni po qarkullonte në një cluster skocez dhe kishte qenë në kohën kur u krye studimi fillestar.

Ku dhe si ndikoi te njerëzit?

Në nëntor, u raportua që pasi varianti u fut në Skoci nga një burim i vetëm, ai u përhap dhe përfundoi duke u gjetur në 553 tamponë – në atë kohë rreth 10% të të gjitha tamponëve që ishin në dispozicion për analiza në vend, nga fundi i qershorit.

Por më pas, ai u zhduk. Autorët e një punimi në nëntor (Thomson et al) thonë se numri i sekuencave të virusit që identifikohet u zvogëlua ndërsa me bllokimin në mbarë Mbretërinë e Bashkuar ai përfundimisht u zhduk – duke treguar ndoshta sa efektive ishin bllokimet dhe masat e shëndetit publik.

Por historia nuk mbaroi këtu. Në maj, varianti u shfaq në Rumani, dhe përsëri në Norvegji në Qershor dhe gjithashtu në SHBA. Duket sikur këto shfaqje kanë ndodhur në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra – pjesërisht sepse ekziston vetëm një numër i caktuar mënyrash që virusi mund të shndërrohet. Në këtë pikë ai ishte riemërtuar B.1.258.

Ai vazhdoi të përhapet në të paktën 35 vende. Studimi i variantit zbuloi se ishte më efektiv sesa disa versione të mëparshme, për t’u bashkangjitur në disa qeliza njerëzore.

Duket se kudo që mutacioni mund të ketë përfunduar, varianti forcua për shkak të epërsisë së tij mbi disa variante të tjera.

Eshtë zbuluar gjithashtu që është në gjendje të shmangë antitrupat natyralë, duke paraqitur rrezikun që terapitë si antitrupat monoklonalë të mos funksionojnë kundër tij.

20 QERSHOR 2020, SPANJË

20A.EU1/B.1.177, Aragon, Katalonjë

Të dhënat tregojnë se u shfaq midis disa punëtorëve në bujqësi në verilindje të Spanjës, në fund të pranverës dhe fillim të verës.

Si, kur, ku u bë publike?

Përhapja e sëmundjes u bë publike në një letër të botuar paraprakisht nga studiuesit me qendër në Zvicër dhe Spanjë, më 28 tetor.

Ku dhe si ndikoi te njerëzit?

Pasi u hapën kufijtë e Spanjës, njerëzit e irrituar nga muajt e bllokimit vërshuan në Spanjë për pushime, me shumicën e evropianëve të veriut që mbërritën në korrik dhe gusht.

Pastaj kaloi tek popullata lokale, ku u përhap gjerësisht tek ata që vizitonin me pushime, të cilët më pas e kthyen në vendet nga vinin.

Ai u përhap me shpejtësi gjatë verës 2020, duke llogaritur një pjesë të madhe të rasteve në disa vende evropiane, me rreth 40-45% të britanikëve pozitivë të infektuar me këtë variant, duke përfshirë dy të tretat e skocezëve dhe tre të katërtat e njerëzve në Uells, deri në tetor.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ai i zëvendësua më pas nga variante të mëvonshme.

20 SHTATOR 2020, ANGLI

B1.1.7/VOC202012/01, Londër, Kent

U pikas fillimisht në Kent në 20 shtator.

Si, kur, ku u bë publike?

Ai u raportua për herë të parë nga autoritetet britanike në 14 dhjetor.

Ku dhe si ndikoi te njerëzit?

Varianti u bë shqetësues sepse ishte e qartë për studiuesit që shumë herët, se po përhapej nëpër popullatë më shpejt sesa variantet e mëparshme.

Në fakt, studimet e kanë gjetur deri në 70% më ngjitës. Deri më tani nuk ka asnjë indikacion që shkakton simptoma më të këqija sesa variantet e hershme. Një nga teoritë se si mund të ketë ardhur është se u shfaq si një mutacion tek dikush me sistem imunitar të kompromentuar.

Fakti që përhapet shumë më lehtë dhe prandaj ka të ngjarë të infektojë më shumë njerëz, në mënyrë të pashmangshme do të rezultojë në më shumë vdekje dhe shtrime në spitale, sipas ekspertëve.

Por varianti gjithashtu është zbuluar se shoqërohet me një përqindje më të lartë vdekjesh midis grupeve të moshës më të madhe, vdekjet e të cilave ndodhin në komunitet. Varianti ka rezultuar kaq i përhapshëm, sa që një studim i javës së fundit të janarit nga Zyra për Statistikat Kombëtare zbuloi se ai përbënte 70% të rasteve në Londër, Jug-Lindje dhe Irlandën Veriore.

18 DHJETOR 2020, AFRIKA E JUGUT

B.1.351/501Y.V2, Port Eliyabeth

Mendohet të jetë shfaqur fillimisht në shtator ose tetor në Port Elizabeth.

Si, kur, ku u bë publike?

U raportua më 18 dhjetor nga departamenti i shëndetit i Afrikës së Jugut.

Ku dhe si ndikoi te njerëzit?

Mendohet se është përhapur me shpejtësi, duke u bërë varianti mbizotërues në të gjithë rajonet jugore dhe jugperëndimore të Afrikës së Jugut, brenda disa javësh.

Që nga ajo kohë është përhapur në të gjithë Afrikën e Jugut dhe më gjerë, duke përfshirë në Mbretërinë e Bashkuar, me dy raste të gjetura në Britani brenda pesë ditëve nga zbulimi i tij, dhe raste të shumta janë raportuar që prej asaj kohe.

Thuhet se është përhapur në të gjithë Zambian. Studime të vazhdueshme janë duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse shkakton një formë më të rëndë të sëmundjes dhe nëse po përhapet më shpejt sesa variantet e hershme afrikane.

Një studim nga Afrika e Jugut ka zbuluar se është rreth 50% më infektues sesa variantet e mëparshme.

Ekziston frika se, për shkak të adaptimeve që ka pësuar, mund të rezistojë ndaj vaksinave ekzistuese kundër COVID.

Varianti ka mbërritur kohët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA, dhe Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka futur një ‘listë të kuqe’ karantinimi të të ardhurve nga disa vende, në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e tij. Testimi derë më derë po zhvillohet gjithashtu në një seri qytetesh për të monitoruar përhapjen e variantit.

3 NENTOR 2020, DANIMARKE

Cluster 5, Jutland

Si, kur, ku u bë publike?

Instituti Shtetëror danez i Studimeve i bëri publike gjetjet në 3 nëntor.

Ku dhe si ndikoi te njerëzit?

Deri më tani, ka pasur 11 raste në popullatë. Të 11 rastet u identifikuan në Shtator 2020 në Jutlandin e Veriut, Danimarkë.

Rastet varionin nga mosha nga 7 deri në 79 vjeç, dhe tetë kishin një lidhje me industrinë e bujqësisë, me katër raste nga komuniteti lokal.

Por, pavarësisht nga rastet relativisht të pakta njerëzore, varianti shkaktoi shqetësim pasi gjetjet paraprake treguan që antitrupat janë mesatarisht më pak efektive ndaj tij.

Frika ishte që një numër në rritje i njerëzve do të infektohen me një variant i cili mund të ri-infektonte ata që tashmë kishin pasur virusin.

Besohet se varianti tani është zhdukur.

Çfarë po bëhet në lidhje me variantet?

Renditja gjenetike e mostrave të marra nga njerëzit që bëjnë tampone mund të zbulojë variante të reja.

Kështu doli në dritë varianti ‘Kent’, sepse u identifikua nga studiuesit britanikë.

Një grup i quajtur COVID-19 Genomics UK Consortium (COG-UK) u krijua marsin e kaluar për të gjurmuar ndryshimet në materialin gjenetik të virusit.

Ajo vëzhgoi kodin gjenetik të mijëra mostrave dhe identifikoi se një sekuencë gjenetike në veçanti duket se po konkurron të tjerat në Jug-Lindjen e Anglisë.

Duke gjurmuar se ku po shfaqeshin sekuencat e reja, ishte e mundur të identifikohej që virusi kishte potencialin të paraqiste një kërcënim të ri.

Që atëherë është përcaktuar që ai me të vërtetë përbënte një kërcënim të shtuar pasi që jo vetëm ishte deri në 70% më i transmetueshëm, por gjithashtu mund të shoqërohet me një shkallë më të lartë të vdekjesh në komunitet.

Gjithashtu ngre dyshimin se, nëse mund të ndodhë në Mbretërinë e Bashkuar, a mund të ndodhë edhe diku tjetër? Ka shenja që po e bën tashmë.

Drejtorja ekzekutive e COG-UK Sharon Peacock, profesore e shëndetit publik dhe mikrobiologjisë në Universitetin e Kembrixhit, tha për Sky News: “Të kërkosh një variant të ri është si të kërkosh një gjilpërë në një kashtë. Për shembull, ne së pari kishim sekuencuar variantin e gjetur në Mbretërinë e Bashkuar në 20 Shtator, por nuk ishte me rëndësi në atë kohë – më pas në retrospektivë ne kthyem kokën pas për të gjetur se kur e kishim zbuluar. Deri në fund të Janarit ne synojmë të renditim deri në 20,000 gjenome në javë. Kur kombinojmë të dhënat e gjenomit me të dhënat e popullsisë … ne mund të gjejmë ndikimet mbi popullsi”.

Por ajo shtoi: “Ekziston rreziku që vendet me aftësi të mira identifikuese të kenë më shumë gjasa të zbulojnë variante të reja”.

Mbretëria e Bashkuar ka ndoshta aftësitë më të përparuara të sekuencimit gjenetik në botë, por ka shumë vende ku bëhen pak analiza të varianteve të reja dhe në zhvillim.

COG-UK nuk është i vetmi grup që studion variantet. Një grup shkencëtarësh që përfshijnë studiues në Universitetet e Bazelit dhe Bernës në Zvicër dhe Lab Bedford në SHBA, i quajtur Nextstrain, ndjek evolucionin e viruseve, si variantet e SARS-CoV-2, dhe patogjenëve të tjerë.

Ai synon të prodhojë pemë filogjenetike të hollësishme dhe analiza që tregojnë se kur dhe ku ndodhin variante.

Emma Hodcroft e Nextstrain, një epidemiologe molekulare në Universitetin e Bernës, e cila udhëhoqi përpjekjen për të gjurmuar variantin spanjoll, i tha Sky News: “Herë pas here mund të fillojë të duket sikur ka një ndryshim të vërtetë në virus dhe ne me të vërtetë duam të dyfishohen përpjekjet kërkimore, duke kuptuar se a është ky një ndryshim i vërtetë në transmetueshmëri apo diçka tjetër.

Ne duam të vëzhgojmë që herët, me qëllim që të mund të kemi informacionin për të vendosur nëse do të ndërmarrim veprime, si kalimi në bllokim, rritja e kufizimeve, ndalimet e udhëtimit ose kufizimet, etj. Sa më shpejt të dijmë, aq më shpejt mund të bëjmë diçka në lidhje me të. Kjo u bë shumë mirë në rastin e variantit që qarkullonte në Mbretërinë e Bashkuar. Ndoshta nuk do të ishte vërejtur për një kohë më të gjatë nëse do të kishte lindur në një vend tjetër, sepse shumica e vendeve thjesht nuk kanë atë lloj aftësie sekuencimi.

Ky është një rrezik shumë real. Për fat të keq, në shumë vende, ato variante nuk do të vihen re, derisa të lëvizin në një vend tjetër ku sekuencimi ndodh. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi pika të dobëta në të gjithë botën, ku ndoshta nuk kemi asnjë ide se çfarë po ndodh. Dhe do të vazhdojë kështu, deri kur ato të fillojnë të përhapen diku tjetër.”