Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë takimit me banorët e Njësisë 5, tha se edhe kjo është një nga zonat e kryeqytetit që po i shtohet vlera e pronës çdo ditë e më shumë.
Veliaj shtoi se pas zgjedhjeve, Bashkia e Tiranës do të ndërmarrë një nismë në favor të biznesit të vogël. “Për gjithë industrinë e kafeve, bareve dhe restoranteve që punojnë në zonën e ish Bllokut do të bëjmë një amnisti, për heqjen e taksave që i paguajnë bashkisë. Por, duke qenë se jemi në një situatë kur KQZ-ja nuk na lejon ta bëjmë këtë tani, sepse cilësohet fushatë, vendimin do ta marrim fill pas zgjedhjeve”, sqaroi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se shumë vendime që Bashkia e Tiranës mund t’i merrte menjëherë, sot detyrohet t’i shtyjë pas zgjedhjeve për shkak të vendimit të KQZ-së. “Jemi në një situatë kur KQZ-ja na ka vënë disa detyrime, vetëm që kundërshtari të futet në lojë. Njësoj si kur ishim fëmijë, që na thoshin lëre ta kapë topin edhe qullaci i lagjes. Ndaj, shumë gjëra që duam dhe do t’i bëjmë këtë vit, detyrohemi t’i lëmë pas zgjedhjeve, qoftë për të respektuar këto rregulla, për t’i dhënë kundërshtarit mundësinë të kapë edhe ai topin në lojë. Por, pyetja është: A jemi mjaftueshëm të kthjellët për datën 25 prill, për të votuar atë që sjell vaksinën, që ndërton lagjet dhe shtëpitë e reja?”, vijoi ai.
Veliaj ironizoi kryedemokratin Basha kur tha se “mirë që nuk e bëri tramin, po për rininë çfarë bëri?” Ai rrëfeu se në vitin 2014, kur Bashkia e Tiranës drejtohej nga Basha, ky mbronte një klub striptizmi, të cilin ministria e Rinisë e kishte përzgjedhur ta kthente në qendrën e parë rinore në Tiranë.
“Ajo që sot është qendër rinore në Rrugën e Kavajës, dikur ka qenë klub striptizi, pronë e bashkisë. Në vitin 2014, kur isha ministër i Rinisë, i kërkuam Bashkisë së Tiranës që drejtohej nga Lul Basha, që këtë pronë të bashkisë, nga klub striptizi ta kthenim në qendër rinore, siç është sot. Mbaj mend që në atë kohë Policia Bashkiake e Lulit mbronte klubin e striptizës, që e kishte dhënë me qira. Ndërkohë, në Tiranë nuk kishtë asnjë qendër rinore”, kujtoi Veliaj. Kryebashkiaku tha se anëtarë nga PD, LSI apo PDIU po i bashkohen çdo ditë Partisë Socialiste, sepse po shohin se kush punon dhe kush largohet nga detyra.