Nga Dalina Buzi
Në një nga fotografitë që qarkulluan javën e kaluar nga qendra e Tiranës, dikush i lan fytyrën me ujë një gazetareje që sapo është goditur nga gazi lotsjellës. Ajo ishte aty për të bërë punën e saj. Por, siç e pamë, nuk kishte shumë rëndësi nëse ishe gazetar, student apo kalimtar. Mund ta pësoje njësoj.
Po atë javë, kryeministri tha se “nuk është fenomen studentor” dhe se pas protestave ka “duar të huaja”. Nuk e di çfarë informacionesh ka kryeministri për këto duar të huaja. Unë, nga ajo që kam parë dhe dëgjuar, shoh studentë që jetojnë në konvikte në gjendje të mjerë, prindër që numërojnë lekët për semestrin dhe të rinj që diplomën e shohin më shumë si një mundësi për t’u larguar sesa për të ndërtuar jetën këtu.
Sikur të mos mjaftonin këto për të kuptuar pse njerëzit janë të zemëruar, kemi edhe shifrat. Në vitin 2025, Shqipëria ra tre pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit dhe zbriti në vendin e 91-të në botë, për arsye që Transparency International i emërton pa eufemizma: ryshfeti, keqpërdorimi i parave publike, emërimet politike, mungesa e kontrollit. Sipas Reuters, kur një gjykatë pezulloi zëvendëskryeministren pas akuzave të SPAK-ut, të cilat ajo i mohon, kryeministri njoftoi ndryshime ligjore për t’i mbrojtur ministrat nga pezullimi. Dhjetë ditë më vonë e shkarkoi, pa dhënë arsye.
Prandaj “Rama ik” nuk më duket kërkesë e çmendur, më duket kërkesë politike legjitime. Dhe nuk bëhet më pak legjitime nga dobësia e opozitës. Pikërisht këtu, si gjithmonë, dikush pyet: “Po kush do të vijë?”
E njoh këtë pyetje. Në Shqipëri, mjafton të pyesësh “Po kush do të vijë?” dhe papritur nuk po diskutojmë më pse duhet të largohet një qeveri, por pse duhet ta mbajmë atë që kemi. E dëgjojmë prej tridhjetë vjetësh, me të njëjtin nëntekst: këta janë, më mirë nuk ka, prandaj duroni. Me të drejtë na acaron. Nuk ke pse ta kesh gjetur kryeministrin e ardhshëm që t’i kërkosh llogari këtij që ke.
Por as unë nuk dua ta mbyll këtë diskutim duke thënë “të ikë ky njëherë, pastaj shohim”. Sepse pastaj ka rëndësi, te pastaj do të jetojmë. Aty janë puna, shkolla e fëmijëve, paratë që paguajmë dhe shërbimet që presim në këmbim. Aty, jemi ne. Dhe ne kemi parë sa e sa herë të njëjtën gjë: ndërrohet mbreti, froni mbetet.
* * *
Sigurisht, qeveria ka statistika për të treguar dhe jo çdo statistikë pozitive është propagandë. Problemi është se statistikat nuk përputhen domosdoshmërisht me çfarë njerëzit kanë në llogarinë bankare në fund të muajit. Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të këtij viti paga mesatare bruto u rrit gati 10%. Në të njëjtin tremujor, rreth gjysma e të punësuarve merrte në dorë më pak se 60 mijë lekë. Paga mesatare nuk është paga e askujt konkret.
Nuk dua të pretendoj se gjithçka që është bërë në këto vite është e gabuar. Por është shumë e vështirë t’i kërkosh dikujt të vlerësojë një reformë kur çdo ditë përballet me çmimin e karburantit, me ushqimin që nuk e dimë kush e kontrollon, me ndërtesa të bukura buzë rrugësh të këqija.
Gjatë rrugës kemi humbur edhe diçka më të vështirë për t’u matur: aftësinë për të dalluar. Si sipërmarrëse, e di që rritja e pagave nuk është vetëm një numër në raport; dikush duhet t’i gjejë ato para çdo muaj. Megjithatë, kemi nisur t’i shohim me dyshim të gjitha bizneset, edhe ato të ngritura me familjen që punon nga mëngjesi në darkë, nga lopa e parë deri te fabrika. Kur nuk e dallon më të ndershmin nga i padrejti, i padrejti fshihet mes të gjithëve, ndërsa i ndershmi del i pari nga loja.
Sot nuk i besojmë askujt. As qeverisë, as atyre që i kundërvihen. As gazetarëve, as opinionistëve. Dhe nuk e them nga jashtë. Askush prej nesh nuk është jashtë këtij sistemi, sepse sistemi nuk mbahet vetëm nga ata që vjedhin, por edhe nga ne që e njohim aq mirë sa dimë si të përfitojmë prej tij.
Kujto herën e fundit kur ke pasur një hall me shtetin. Një vizitë në spital, një leje, një dokument që nuk po dilte. Kë thirre të parin? A shkove drejt e te sporteli apo te dikush që njeh dikë? Shumica prej nesh e dimë përgjigjen. Dhe shumica prej nesh nuk e quajmë korrupsion. E quajmë “të zgjidhësh punë”. Edhe unë e njoh këtë tundim.
Por as “kemi faj të gjithë” nuk na shpëton nëse fshin dallimet. Ai që kërcënon me vendin e punës nuk ka të njëjtën përgjegjësi me atë që hesht nga frika. Ne të tjerëve na mbetet një detyrim më i vogël, por jo më i lehtë: të mos ia falim njeriut tonë atë që e dënojmë te kundërshtari.
* * *
Komisioni Europian i njeh rezultatet e SPAK-ut kundër korrupsionit të nivelit të lartë, por konstaton se mekanizmat për ta parandaluar kanë ndikim të kufizuar. Të dyja duhen thënë bashkë. Një hetim është i nevojshëm, por nuk ia kthen të sëmurit ilaçin që i mungoi. Duhet të dimë edhe pse kontrolli nuk funksionoi para se çështja të bëhej dosje penale. Kush duhej ta kishte parë? Kush firmosi? Kush heshti?
Edhe përgjigjet e thjeshta kërkojnë një sërë peripecish. Në vitin 2024, gazetarët bënë 365 ankesa te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, sepse u ishin refuzuar dokumente zyrtare. Në 283 prej tyre, informacioni u dha gjatë shqyrtimit. Pothuajse katër herë nga pesë, përgjigjja ekzistonte, por duhej luftuar për ta marrë. Prandaj të gjithë e marrim me mend se çfarë ndodh me pyetjet e atyre që nuk kanë as kohë, as para, as këmbënguljen për të shkuar deri atje.
* * *
Është shumë e lehtë t’i thuash dikujt “ngrije zërin” kur nuk je ti ai që do ta paguajë çmimin. Ata që sot janë në rrugë nuk kanë ç’të humbasin. Nesër do të kenë fëmijë, kredi, një punë që varet nga dikush. Dhe atëherë do të shkojë dikush t’u thotë, me dashamirësi: “Mos u fut, ke fëmijë.” Kështu na kanë blerë brez pas brezi. Me frikë.
Kur sistemi nuk të bind se rregullat vlejnë për të gjithë, një njohje bëhet sigurim jete. Nuk dua t’i mbaj leksione morali njeriut që ka frikë. Dua të pyes pse duhet të mbetet vetëm me frikën e vet.
Javën e kaluar pamë deri ku mund të na çojë zemërimi: te gazi, te gurët, te plagët. E kuptoj nga vjen. Kur ke trokitur në çdo derë dhe asnjëra nuk është hapur, guri duket si e vetmja gjuhë që dëgjohet. Por nuk dua që ky të jetë qytetari që jemi.
Guri nuk ndërron qeveri. Përkundrazi, mund t’i japë pushtetit pikërisht atë që i duhet: një arsye për të folur për dhunën dhe për të anashkaluar arsyet që i nxorën njerëzit në rrugë. Por as shteti nuk mund të fshihet pas atij guri. Kur hedh gaz e dhunon protestues, të mitur, gazetarë e kalimtarë, ai mban përgjegjësi shumë më të madhe, sepse ka për detyrë të na mbrojë, jo të na ndëshkojë.
Nëse duam një qeverisje tjetër, duhet të organizohemi dhe ta mbajmë gjallë kërkesën për ndryshim edhe pasi zbrazet sheshi. Deri në votim dhe pas tij, sepse ndërrimi i një qeverie nuk mjafton për ta bërë një vend demokratik. Demokracia është të kërkosh llogari çdo ditë, edhe kur kamerat janë larguar, edhe kur nuk je më i zemëruar.
Dhe këtu vijmë te problemi që protestat shqiptare e kanë pasur shpesh: çfarë ndodh pasi njerëzit largohen nga sheshi? Në vitin 2018, studentët zunë fakultetet dhe fituan disa nga kërkesat e tyre. Tetë vjet më vonë janë sërish në rrugë, për të njëjtat gjëra. Studentëve u duhen struktura që i mbajnë mend premtimet edhe pasi brezi që protestoi të jetë diplomuar. Punonjësve u duhet përfaqësim që nuk varet nga guximi i një individi, sepse guximi individual nuk mund të jetë plani ynë kombëtar për ta mbajtur pushtetin nën kontroll.
Në Serbi, studentët po e bëjnë pikërisht këtë hap. Lëvizja nisi pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 vetë. Por ata nuk u mjaftuan vetëm me protesta. Sot studentët trokasin derë më derë, me pyetësorë dhe një aplikacion ku regjistrojnë kush i mbështet. Kanë ngritur një listë me 250 kandidatë, shumicën e propozuar nga fakultetet dhe po përgatisin vëzhgues për qendrat e votimit. Slogani i tyre, “Serbia apo mafia?”, nuk pyet kush do të vijë, por çfarë nuk do të lejohet më. Nuk e di nëse do ta mposhtin Vuçiçin të dielën; sondazhet favorizojnë herë lëvizjen e tyre dhe herë Vuçiçin. Unë nuk jam dakord me gjithçka në programin e tyre, aq më pak për qëndrimin për Kosovën. Megjithatë ata kanë kuptuar diçka që ne e harrojmë çdo herë: Protestat mbarojnë. Studentët diplomohen, fillojnë punë, largohen nga vendi. Dhe nëse askush nuk vazhdon të kërkojë llogari për premtimet, pas disa vitesh vjen një brez tjetër që duhet ta nisë gjithçka nga e para.
* * *
Prandaj kërkesa ndaj kujtdo që vjen duhet të jetë më konkrete se “na sill shpresë”. Shpresa nuk kontrollohet dot, premtimet po. Për shembull:
Nëse premton konvikte, sa vende të reja dhe kur?
Nëse premton administratë me meritë, kush e kontrollon konkursin?
Dhe çfarë ndodh ditën që premtimi nuk mbahet?
Dua të di nëse do ta durojë një parlament që e kontrollon, një prokurori që e heton, një gazetar që vazhdon të pyesë edhe pasi konferenca ka mbaruar. Këto duhen ditur përpara se t’i jepet pushteti. Më pas është gjithmonë vonë.
“Rama të ikë” është kërkesë legjitime. Pyetja “Çfarë vjen pas?” është po aq e rëndësishme, sepse nuk mjafton të ndryshojmë qeverinë nëse nuk ndryshojmë mënyrën si qeverisemi.
Për emrin mund të mos biem dakord. Por për çfarë nuk do t’i lejojmë më pushtetit, duhet të merremi vesh që sot. Dhe këtë marrëveshje do të na duhet ta mbajmë sidomos ditën kur në pushtet të jetë dikush që e kemi votuar vetë.










