Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, u ka bërë thirrje të rinjve të ndahen nga politika e përçarjes dhe urrejtjes dhe t’i bashkohen forcës së vetme që punon për të ardhmen e tyre.
“Politika e punës, e dashurisë për njëri-tjetrin, e ndihmës dhe e solidaritetit fiton gjithmonë. A jemi abonuar te kjo politikë? Apo tek ajo e përçarjes dhe urrejtjes? Ju jeni të gjithë një skuadër: skuadra e të ardhmes së Partisë Socialiste të Shqipërisë,” u shpreh Veliaj gjatë takimit me të rinjtë në Rrogozhinë.
Ai ka kërkuar të mos iu besojnë më atyre që me “ndryshimin” duan t’i rikthejnë të rinjtë në kohën e “Kristalit” e “Vitrinës”.
“Dikur të rinjve u ofroheshin alternativa si “Kristali” e “Vitrina”. Mund të ishe në burg dhe të dilje me doktoraturë nga këto universitete! Kur shikon që ata njerëz sot thonë duam ndryshim, ne u themi: Faleminderit shumë! Ne kemi nevojë të shkojmë përpara, jo mbrapa,” u shpreh Veliaj. Ata që flasin sot për ndryshim, – tha Veliaj – u dhanë kredi të buta deputetëve, zv/ministrave e gardistëve të 21 Janarit, jo çifteve të reja.
“Kreditë e buta në kohën e Lulit i morën deputetët, zv/ministrat, drejtorët dhe gardistët që vranë në 21 Janar. Për Lulin, njerëzit me paga me mbi 1 milionë lekë quheshin shtresë në nevojë. Për mua, në nevojë është çdo djalë dhe çdo vajzë që, me meritën e vet, pa parë mbiemrin, pa parë familjen, por duke parë notat, duke parë talentin, punën dhe dëshirën për të krijuar një familje për t’ia dalë me sukses, kërkon ndihmën e Bashkisë së Tiranës dhe do ta ketë ndihmën e Bashkisë së Tiranës,” deklaroi Veliaj.
Ndërsa i deleguari i PS në Rrogozhinë, Etjen Xhafaj u shpreh se PS është e vetmja forcë që bën sot diferencën. “Ju jeni e ardhmja dhe data 25 Prill është hapi i parë për ju. Vetëm PS është partia që bën sot diferencën,” u shpreh Xhafaj.