Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka rrëzuar pretendimet e gjykatëses Altina Xhoxhaj, për shkarkim të parregullt nga detyra pas procesit të vetingut. Në arsyetimin e saj, Gjykata e Strasburgut thotë se në çështjen Xhoxhaj kundër Shqipërisë nuk kishte shkelje disa neneve që pretendonte gjyqtarja Xhoxhaj, si e drejta për proces të rregullt, pretendimi për parregullsi në procedura, e të tjerë.

Vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut-Me shumicë votash (6 kundër 1) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 (e drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për sa i përket pretendimit për mungesë të pavarësisë dhe paanshmërisë të organeve të vetingut,

Me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 për sa i përket pretendimit për parregullsi të procedurave,

Me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 për sa i përket pretendimit për mosmbajtjen e një seance publike përpara Kolegjit të Apelimit,

Me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 6 § 1 për sa i përket pretendimit për shkelje të parimit të sigurisë juridike, dhe

Me shumicë votash (5 kundër 2) se nuk kishte shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare).

Shkarkimi-Çështja shqyrtoi shkarkimin nga detyra të një gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese në vijim të procedurave të filluara ndaj saj, si pjesë e një procesi të jashtëzakonshëm për rivlerësimin e përshtatshmërisë në detyrë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend, i njohur ndryshe si procesi i vetingut. Çështja e kërkueses u shqyrtua nga organet e vetingut, dhe Kolegji i Apelimit, pasi e mori çështjen në shqyrtim në dhomë këshillimi, la në fuqi shkarkimin e saj nga detyra.

Gjykata arriti në përfundimin se nuk kishte shkelje të nenit 6 / 1, pasi organet e vetingut kishin qenë të pavarura dhe të paanshme, procedurat kishin qenë të rregullta, shqyrtimi i ankimit të kërkueses në seancë publike nga Kolegji i Apelimit nuk kishte qenë i domosdoshëm dhe nuk ishte shkelur parimi i sigurisë juridike. Për më tepër, Gjykata konstatoi se nuk kishte shkelje të nenit 8, pasi shkarkimi nga detyra kishte qenë proporcional dhe ndalimi i përhershëm ligjor për të rihyrë në sistemin e drejtësisë për shkak të shkeljeve të rënda disiplinore kishte qenë në përputhje me garantimin e integritetit të detyrës së magjistratit dhe të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.