Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka publikuar në rrjetet sociale një video informuese lidhur me ofrimin e shërbimeve për shtetasit shqiptarë, që ndodhen jashtë vendit. Krahas videos, Kryediplomatja Xhaçka shkruan se reformimi dhe modernizimi i shërbimit konsullor dhe përmirësimi i shërbimeve për shtetasit shqiptarë jashtë vendit, është prioritet i MEPJ dhe se ka vëmendjen e saj maksimale.
“Sigurisht që ka akoma shumë probleme por gjatë viteve të fundit është bërë një punë e madhe. Sfida jonë është ruajtja e ritmit për të bërë edhe më shumë, në shërbim të çdo shqiptari që jeton e punon jashtë vendit”, thekson Ministrja Xhaçka në postimin e saj. Në video tregohet në shifra reale rritja e numrit të shërbimeve konsullore dhe shërbimeve për dokumente biometrike me kalimin e viteve, si dhe informacione më të detajuara se ku edhe si shtetasit shqiptarë mund të aplikojnë për këto shërbime.