Virologu shqiptar në SHBA, Arban Domi tha se infektimet me COVID-19, edhe pasi është marrë doza e parë e vaksinës, nuk janë diçka e papritur apo shqetësuese. Sipas tij, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe pasi është marrë doza e dytë e vaksinës, ndërsa koha optimale për të fituar imunitetin e nevojshëm është 2 javë pas dozë së dytë. “Elementi i parë është se mes dy dozave, mbrojtja jo që nuk është 100 për qind, por është shumë më e ulët dhe kjo shkon sipas vendeve që po bëjnë vaksinimin me Pfizer, ku mbrojtja varion nga 30-60 për qind. E njëjta ndodh edhe për dozën e dytë, optimalja është 2 javë pas marrjes së dozës së dytë.
Nuk është shqetësues infektimi pas dozës së parë dhe të dytë. Nuk është e pamundur që personat të infektohen edhe pas dozës së dytë”, shpjegoi virologu.
Ai tha se nga studimet e deritanishme rezulton se tri vaksinat e certifikuara anti-COVID veprojnë njëlloj ndaj variantit të ashtuquajtur britanik të virusit, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për variantin brazilian dhe atë të Afrikës së Jugut, që siç tha është zbuluar se arrijnë t’i shpëtojnë përgjigjeve imunitare nga vaksina.