Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të zhvillojë seancë publike të hënën në orën 12:00 për të shqyrtuar kërkesat e partive që pritet të regjistrohen si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e 25 prillit. Mes tyre përfshihen edhe tre partitë e mëdha të vendit tonë Partia Socialiste, e cila ka qeverisur vendin në 8 vitet e fundit, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike. PS pritet të garojë e vetme në zgjedhjet e Prillit, me koalicion vetëm me qytetarët, ndërkohë që PD dhe LSI ende nuk e kanë vendosur nëse do të dalin në lista të përbashkëta, në qarqe te ndryshme të vendit.

Ndërkohë të hënën pritet të shqyrtohet kërkesa për regjistrimin e komitetit nismëtar që do të organizojë punën për paraqitjen e Iljaz Shehut si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në zonën zgjedhore qarku Lezhë, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021.

PARTITË QË PRITET TË REGJISTROHEN JANË: Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar; Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane; Partia Kombëtare Konservatore Albania; Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare; Partia Bashkimi Liberal Demokrat; Partia Socialiste e Shqipërisë; Partia Lëvizja Socialiste për Integrim; Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Partia Demokratike; Partia Republikane Shqiptare; Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë; Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen; Partia Nisma Thurje; Partia Social Demokrate; Partia Aleanca Kombëtare; Partia Demokracia Sociale.