Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën për ndërtimin e një nënkalimi që do të zgjidhë problematikën e rrethrrotullimit tek TEG.
Drejtori i projekteve të ARRSH, Erald Elezi ka shpjeguar në një intervistë televizive detajet, si do të zgjidhet problemi i rreth-rrotullimit.
“Kemi pasur goxha shqetësime për fluksin e trafikut që na kalonte në këtë nyje dhe numrin e aksidenteve që realizoheshin për shkak të zgjidhjes që mund ta quaj provizore sicc ishte zgjidhja që është aktuale nëpërmjet një rreth-rrotullimi”.
“Është hartuar dhe zhvilluar projekti për ndërtimin tashmë të një nënkalimi pranë kësaj nyje”, tha ai.
“Nënkalim nënkupton që fluksi më i madh i trafikut që ne presim, që është fluksi që na shkon drejt jugut dhe lindjes së vendit, drejt rrugës Tiranë-Elbasan, të futet në një vepër në disnivel në nënkalim, në mënyrë që të jetë lëvizje e pandërprerë e trafikut”, u shpreh drejtori i projekteve në ARRSH, Erald Elezi.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën për zbatimin e projektit, vlera e të cilit shkon 1 miliard e 680 milionë ose e thënë ndryshe rreth 13.7 mln euro.
Fillimisht punimet janë fokusuar në menaxhimin e trafikut duke vendosur sinjalistikën e nevojshme pasi janë reduktuar nga 3 në 2 korsitë ekzistuese.