Zinedine Zidane ka dalë para mediave dhe ka folur për ndeshjen e radhës, që zhvillohet nesër në transfertë kundër Valladolid. Francezin më së shumti e kanë ngacmuar në lidhje me Kylian Mbappe dhe Erling Haaland, dy yje të futbollit botëror të lidhur me një transferim të mundshëm te Reali.

“Benzema nesër nuk do të jetë, ka një problem dhe nuk do të udhëtojë me skuadrën. Mendjen e kemi te Valladolid. Do gabojmë nëse mendojmë për ndeshjen e së mërkurës me Atalantën. Kemi pasur një javë të mirë dhe duhet ta tregojmë atë në fushë.

Nuk mendoj se ndeshjet e kampionatit janë më të lehta. Nuk ka ndeshje të lehta, kundër asnjë ekipi. Nëse je i përqendruar dhe i përkushtuar mund të fitoni, ndryshe nuk ndodh. Kampionati është akoma i fortë”, tha fillimisht Zidane, për të cilin më pas nisën pyetjet ngacmuese.

“A më pëlqen Mbappe? Shikoj të gjitha ndeshjet dhe kënaqem kur shoh gjëra të bukura, siç ndodh me të gjithë tifozët. Mbappe e Haaland, pasuesit e Messit dhe Ronaldos? Do e shohim, ata janë shumë të mirë, sikurse Messi, Ronaldo e Neymar. Janë lojtarë të rinj, të së tashmes dhe të ardhmes”.

“Mbappe apo Haland? E thashë, më pëlqejnë ti shoh lojtarët e mirë. Nuk do të përgjigjem kë preferoj. Gjëja më e rëndësishme është që këta lojtarë të shihen. A i kam thënë Perez të firmosë me Mbappe? Nuk i kam dërguar asnjë mesazh. Tifozët kanë të drejtë të kenë një mendim, natyrisht”.

“Çfarë mendoj për Mbappe dhe a është nga më të mirë që ta shoh në Madrid? Nuk merrem me këtë pjesë. Të gjithë flasin për lojën e Mbappe dhe nuk befasohem, e njoh atë. E kam parë si tifoz dhe që t’ua bëj të qartë, gjëja më e rëndësishme është ajo që duhet të bëjmë nesër kundër Valladolid. Pjesën tjetër e shoh me kënaqësi”, u shpreh Zidane.