“Ne e meritojmë të vazhdojmë të luftojmë. Vitin e kaluar fituam La Liga-n, edhe tani po luftojmë. Vitin e kaluar, jo dhjetë vjet më parë, e fituam La Liga-n. Disa pyetje tuajat më bëjnë të qesh. Duhet të ndryshojmë, po. Unë thjesht meritoj pak respekt. Ti më bën të qesh…, por asgjë nuk ndodh. Ti thua kaq shumë gjëra. Ma thuaj në fytyrë, jo pas krahëve: duam të të zëvendësojmë”.
Në konferencën për shtyp, në prag të Huesca-Real Madrid, trajneri Zinedine Zidane shfryu për kritikat dhe thashethemet mbi largimin e tij të mundshëm: “Një ditë jam brenda, një tjetër jashtë, pastaj pak brenda… E gjithë skuadra është e vendosur të luftojë deri në fund të sezonit. Kjo është ajo që do të bëjmë së bashku si grup. Ajo që njerëzit duan është të fitojmë ndeshjet. Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë pastaj.
Ne e meritojmë ta përfundojmë sezonin me këtë skuadër. Flitet për shumë gjëra, për ndryshimin e trajnerëve dhe më shumë. Unë nuk e di, por ndihem me fat në stolin e Realit. Nëse njerëzit duan unë të largohem, nuk mund t’ua plotësoj këtë dëshirë. As lojtarët e mi. Flitet shumë për një situatë të pakëndshme. Ne nuk jemi shumë mirë, është e vërtetë, por synojmë të ndryshojmë. Ajo që më bën për të qeshur është se ti (i drejtohet gazetarit që e pyeti) më bën përherë të njëjtën pyetje. Nuk jam i lumtur kur më pyesin sa herë që luajmë një ndeshje të keqe. Nuk e meritoj këtë trajtim nga mediat. Sidoqoftë, jam me fat që mund të punoj me këtë ekip.
Ne kemi fituar kampionatin vitin e kaluar, pres më tepër respekt. Nëse nuk ia dalim, jam i pari që do të marr përgjegjësitë. Jam i zemëruar, sepse qëndrova mbyllur në kafaz për dy javë (prej Covid-19). Tani dua të dal dhe të luftoj deri në fund. Zemërohem, sepse po mundohemi ta bëjmë punën tonë si duhet. Bëjeni punën tuaj si gazetarë, por duhet të respektoni pak edhe nga puna jonë. Këtë sezon do të luftojmë për tifozët. Unë e di që janë mbështetësit tanë më të mëdhenj, e duan shumë ekipin. Ne duam të fitojmë dhe të luajmë mirë futboll për ta”.