Tre familje të tjera, ajo e Ramazan dhe Fadil Harizajt, si dhe e Ali Ramës nga fshati Balshaban i Baldushkut, hynë në shtëpitë e reja, të rindërtuara pas rrënojave që la pas tërmeti i 26 Nëntorit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i cili vizitoi familjet në banesat e reja, u shpreh se, pavarësisht terrenit të vështirë, standardi i rindërtimit është zbatuar kudo njëlloj, ndërsa theksoi se transformimi i Baldushkut do finalizohet me lagjen e re, e planifikuar në Programin e Rindërtimit, për 30 familje të dëmtuara nga tërmeti tragjik.
“Më vjen mirë kur shoh se është punuar me të njëjtin standard, si në qytet, ashtu edhe majë kodrës, në Balshaban, sepse ndryshe është një kantier i mbledhur dhe ndryshe kur në çdo cep kodre ka nga një shtëpi. Në fund, puna flet vetë. Ajo që kemi bërë këtu në Baldushk është fantastike, duke filluar nga investimet e rrugëve, investimet e ujësjellësit, investimet tek urat, shkollat, tregu i Baldushkut, ndërsa tani do vijojmë edhe lagjen me 30 shtëpitë e fundit. Në finale, edhe në Baldushk, ashtu si në të gjithë Tiranën, do fitojë puna,” u shpreh Veliaj.
E gjitha kjo – tha ai – arrihet më së pari me besim. “Kjo nuk bëhet pa besim. Nëse dyshojmë të gjithë, nëse bëhemi cinikë dhe themi kjo s’bëhet, atëherë asgjë nuk bëhet. Nëse i japim njëri-tjetrit besim dhe themi “do besojmë Edi Ramën, që po i bën shtëpitë, po sjell vaksinën, që do vazhdojë urbanizimin dhe modernizimin e shtetit”, tjetri inkurajohet dhe prej inkurajimit kthehet në projekt, në një plan të zbatueshëm dhe në një rezultat konkret. Ndaj, ju kërkoj të gjithëve që t’i japim një dorë Edi Ramës. Kjo nuk bëhej pa vullnetin e një njeriu që e ka punën obsesion dhe si dikush që ka punuar me të prej vitesh, e di që ai i çon punët deri në fund,” u shpreh kreu i Bashkisë.
Veliaj tha se, si PD-ja me Lulzim Bashën, ashtu edhe LSI-ja me familjen private, janë provuar e sprovuar dhe kanë treguar jo një herë, por në çdo herë që kanë pasur pushtet në dorë, se në fund kanë dështuar.
“Lulin e provuam si kryetar Bashkie, s’bëri asnjë shkollë. E provuam në Ministrinë e Brendshme, u vranë njerëzit, e paimagjinueshme në demokraci. E provuam te “Rruga e Kombit”, u zhdukën 300 milionë euro. E provuam në Ministrinë e Jashtme, fali detin. Ata të LSI-së janë si familje sh.p.k. Kur shikon pastaj sekretarin e tyre në ministrinë e Bujqësisë që vidhte edhe lekët e miut të arave, edhe pesticidet për karkalecat e lekët e papaqit, – se vetëm papaqi i LSI-së bën dyfishin e çmimit në treg, – hajdutë me çizme! Atje e kanë kollaj, se sa më shumë dosje të kesh në SPAK, aq më i fortë je si kandidat,” ironizoi Veliaj.
Në Njësinë Administrative Baldushk po rindërtohen 99 shtëpi individuale, 30 nga të cilat do të zhvendosen në lagjen e re vendin që nga fillimi i pandemisë.