Atletico Madrid fitoi 2-1 me përmbysje ndaj Athletic Bilbao. Golat e Marcos Llorente dhe Luis Suarez i dhuruan ekipit të Diego Simeones tre pikë tepër të rëndësishme për objektivin titull. Diferenca me Barcelonën e vendit të dytë ka shkuar 6 pikë, teksa kanë mbetur për t’u luajtur edhe 12 ndeshje deri në fund të sezonit. Një fitore historike për trajnerin Simeone.

“El Cholo” qëndron në stolin e Atleticos prej dhjetorit të vitit 2011 dhe ndaj skuadrës baske regjistroi fitoren numër 309 si trajner i “Colchoneros”, shifër që nuk e ka arritur asnjë trajner tjetër. Simeone kaloi legjendën Luis Aragones (308 fitore si trajner i Atleticos) dhe pritet ta përmirësojë edhe më shumë rekordin e tij, teksa nuk ka munguar urimi i klubit për këtë arritje fantastike.