Pesë shkolla të reja vetëm në Njësinë 9 në Tiranë, dy prej të cilave në zonën e “Don Boskos”, do të mirëpresin nxënësit me kushte shumë herë më të mira vitin e ardhshëm mësimor. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet për shkollën “Qazim Turdiu”, e cila pas dëmtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit po ringrihet nga themelet, duke i rritur në të njëjtën kohë vlerën gjithë zonës. “‘Don Bosko’ ka qenë prej kohësh një nga zonat e lakmuara të Tiranës, por imagjinoni sa e lakmuar do të jetë tani që po i shtohen shkollat në çdo cep të Njësisë 9. Po mbarojmë dy shkollat “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri” në fund të “Don Boskos”; po mbaron shkolla “Andrea Stefani” te “Shqiponja”, në ekstremin e Njësisë 9; po ashtu, po bëhen edhe dy shkollat e reja “Qazim Turdiu” dhe “Hasan Vogli”, që janë si dita me natën me çfarë trashëguam”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se me përfundimin e tyre, banorëve të zonës do iu rritet vlera e pronës prej faktit se kanë shkollën afër. Veliaj tha se shkolla “Qazim Turdiu” është konceptuar si një kampus. “E kemi shfrytëzuar territorin që ‘zemrën’ ta ketë bosh; pra, terrenet sportive dhe oborri në qendër, kurse hyrja të jetë si në lindje, edhe në perëndim të shkollës. Po aplikojmë të njëjtin standard cilësie që kemi vendosur tek Liceu Artistik dhe shkolla “Servete Maçi”. Fokusi tek terrenet sportive i përshtatet dhe kohës, ku gjithmonë e më shumë po inkurajojmë fëmijët të qëndrojnë sa më shumë në ajër të pastër, të shfrytëzojmë ditët me diell, si kjo e sotmja”, deklaroi kreu i Bashkisë.
Ai u shpreh mirënjohës ndaj gjithë komunitetit të Njësisë 9, për mirëkuptimin e treguar me kantieret e hapura edhe në infrastrukturën rrugore, veç asaj arsimore dhe shëndetësore, ku veçoi rrugën “Mine Peza” dhe “Rrugën e Durrësit”.