Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi një konferencë për media këtë të martë pasi partia që ai drejton dorëzoi në KQZ listën me emra që do të jenë në betejën e 25 prillit. Kryeopozitari u pyet nëse do të japë dorëheqjen nëse nuk fiton zgjedhjet e 25 Prillit. Basha nuk u përgjigj në mënyrë të drejtpërdrejtë, por tha se kryeministri Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim brenda 8 viteve dhe nuk ka për ta bërë as nëse votohet për një mandat të tretë. “Pyetja e ka përgjigjen brenda, a mendojnë shqiptarët se vendi po shkon në drejtimin e duhur? A mendojnë shqiptarët që punët po na shkojnë mirë?
A mendojnë shqiptarët se kemi 300 mijë vende punë shtesë? Shëndetësi falas, legalizime falas? Brenda kësaj është përgjigja. Çfarë s’ka bërë për 8 vite, s’ka për ta bërë më. Këtë shqiptarët do ta vërtetojnë me votën më 25 Prill. Nuk ka ndryshim pa larguar Edi Ramën”, tha Basha.
Ndërkohë sa i përket listës së PD-së, Basha tha se “Nuk është përgjegjësi e askujt tjetër përveç tij që sot ishte tamam njeriu i varur në litarin e krimit që e mban varur prej 8 vitesh”.