Tashmë po vijnë në Shqipëri sasi vaksinash nga vende të ndryshme, ku disa prej tyre nuk janë ende të certifikuara nga Agjencia Europiane e Barnave, që është marrë deri më tani si referim në fushatën e vaksinimit kundër pandemisë. Por epidemiologu Alban Ylli mendon që situata emergjente kërkon një vendimmarrje të shpejtë.

“Nuk jemi në kushte normale, nuk mund të presim që EMA të certifikojë vaksinën ruse dhe kineze, duhet të pranojmë informacionin operativ që na është bërë i mundur, qe tregojnë se vaksinat janë efikase te sigurta, dhe është ndryshuar edhe legjislacioni shqiptar për t’u përshtatur në këtë situatë emergjence. Duhet të avancojmë me vaksina që vijnë nga SHBA, Rusia, Kina, nesër ndoshta edhe nga vende të tjera, por që kanë zbatuar masat bazë të sigurisë dhe efikasitetit”, thotë epidemiologu në A2.

Ylli shton se ketë vaksina kanë kaluar gjithsesi të gjitha fazat, normalisht të përshpejtuara, ku është verifikuar efikasiteti, dh evidenton se “edhe qytetarët amerikanë po pranojnë vaksina me certifikata të kushtëzuara, për efekte anësore të mundshme, por që duket që po funksionojnë”. Sipas tij, të gjitha vaksinat që do të gjenden në Shqipëri janë efikase, madje ai nuk ka preferenca. “Unë dhe shumë kolegë kemi patur fatin e vaksinimit, por unë do të përdorja thjesht vaksinën e parë të ofruar, janë të gjitha efikase”. Për të, rëndësi ka që të vijnë sasi sa më të mëdha, që të përmbushin objektivin e 12-15 mijë vaksinave në ditë.