Në vitin 2013 OSHEE humbiste nga vjedhjet rreth 150 milionë dollarë në vit, humbje e cila sillte riskun që të kalonte në një ‘black-out’ total. Administratori i OSHEE-së, Ardian Çela, në rezymenë që i bëri zhvillimeve në këto 8 vite në sektorin e energjisë elektrike, nga viti 2013 në vitin 2021, tha se humbjet janë minimizuar dhe se është përmirësuar ndjeshëm shërbimet për qytetarët.
“Para nisjes së reformës së Energjetikës, në 100 lekë që hidhesh energji elektrike në rrjet paguhej më pak se gjysma. Mentaliteti i krijuar prej vitesh për të trajtuar energjinë elektrike si një mall pa Zot thelloi gropën financiare të OSHEE-së. 150 milionë dollarë humbiste çdo vit nga vjedhjet dhe mospagimi i energjisë elektrike. Mungesa e energjisë elektrike dhe defektet ishin aq të shpeshta sa në qytete, mungonte edhe me ditë energjia. Sot kjo situatë duket e largët dhe është transformuar.
Qytetarët e kuptuan që shëndoshja e OSHEE-së është në të mirë të tyre. Niveli i humbjeve në 2013-ën ishte ne nivelin 45-50 për qind, viti 2020 shënoi nivelin 21.4 për qind. Sa i përket arkëtimeve sot kompania arkëton 300 milionë dollarë më shumë se para 8 viteve. Rritja e të ardhurave dhe arkëtimeve krijoi mundësinë që kompania të shëndoshej dhe të hidhte sytë te investimet dhe përmirësimi i shërbimeve te qytetarët.
Hapi i parë që bëmë ishte krijimi i sa më shumë pikave për tu krijuar shërbime qytetarëve. Nëse në vitin 2013 numëroheshin 49 sportele në gjendjen më të mjerueshme, sot ne kemi 98 sportele me pajisjet më moderne. Kemi shtuar edhe 2000 sportele alternative. Kemi arritur të shkurtojmë ato radhë të gjatë. Kompania investoi edhe në përmirësimin e sistemit të faturimit. Ne hoqëm përfundimisht mënyrën e faturimit afrofe, më e padrejta që i bëhej qytetarët, sot të gjithë abonentët janë të pajisur me matësa dhe paguan atë që konsumon”, tha ndër të tjera Çela.