Një asteroid që mban emrin e hyut egjiptjan të kaosit dhe errësirës po i afrohet Tokës, por NASA thotë se ai nuk do të shkaktojë problem, të paktën jo këtë shekull.
Që prej zbulimit të tij në 2004-tën, Apofis është konsideruar si njëri prej asteroidëve më të rrezikshëm përsa i takon mundësisë së përplasjes me planetin tonë. Tani shkencëtarët e kanë rishikuar atë opinion pas një analize më të saktë të orbitës së trupit qiellor, të njohur ndryshe dhe si 99942.
Sipas parashikimeve të mëhershme, Apofis do të afrohej frikshëm në vitet 2029 ose 2036 he kishte gjasa përplasjeje me Tokën në 2068-tën. Në 5 mars, ai kaloi 10 milionë milje pranë nesh, dhe gjatë atij fluturimi, astronomët përdorën të dhënat nga radarët për të kuptuar më mirë orbitën e Apofis rreth Diellit. Rezultatet ishin premtuese.
Ato i lejuan shkencëtarët të përjashtonin çdo rrezik impakti të asteroidit me Tokën në 2068, ndërsa kërkimet e thelluara e kishin përjashtuar këtë mundësi dhe për vitet 2029 dhe 2036. Të paktën për 100 vjet të tjera, thotë Nasa, përsa i takon Apofisit, mund të marrim frymë lirisht.