Numri një AIFA-s, Agjencisë Italiane të Barnave, Nicola Magrini, i kërkon popullatës të mos shqetësohet për sigurinë e vaksinës AstraZeneca, pasi sipas tij është alarm i pajustifikuar, shkruan faqja italiane e internetit ilsussidiario.it. AIFA përsëriti qëndrimin e saj në lidhje me vaksinën AstraZeneca, ditët e fundit në qendër të lajmeve pas disa rasteve të dyshuara, por mbi të gjitha pas një serie lajmesh të rreme që po përhapen në internet.
”Vaksina AstraZeneca është e sigurt. Bilanci midis përfitimeve dhe rreziqeve është jashtëzakonisht i favorshëm. Ne nuk duhet të kemi frikë nga ajo për momentin dhe duhet të vazhdojmë të shkojmë në qendrat e vaksinimit me qetësi të madhe”, shtoi Magrini.
Vaksina është pezulluar në disa vende, ndërsa në Itali një lot “i dyshimtë” është tërhequr, por Magrini nënvizon se ”alarmimi i këtyre orëve është i pajustifikueshëm”. ”Ne kurrë nuk kemi parë një alarm që është përhapur në mënyrë kaq të pabazë, pasi në të gjithë botën, mbi 10 milion vetëm në Britaninë e Madhe kanë pasur vetëm efekte anësore të lehta”, shtoi kreu i AIFA-s.