Ronaldo Nazario Da Lima, një nga më të mirët e historisë u fut nga Barcelona në arenën e madhe të futbollit, por në fund katalanasit nuk e vlerësuan siç duhet dhe e shitën pas vetëm një vitit qëndrim në “Camp Nou”.
Katalanasit e blenë për 15 milionë euro nga PSV Eindhoven në Holandë dhe më pas iu desh të hiqnin dorë me patjetër pas një sezoni, kur Moratti i pagoi klauzolën prej 26 milionë eurosh, rekord botëror në atë kohë.
Agjenti i tij i rikthehet verës së vitit 1997 kur ndodhi edhe zënka me Barcelonën, që largoi nga katalanasit pasi kishte shënuar 47 gola në 49 ndeshje dhe kishte vënë veten në listën e më të mirëve në glob në atë periudhë.
Giovanni Branchini tregon qartë sesi Barcelona deshi të mashtronte lojtarin me kontratën e rinovimit, duke vendosur kushte të tjerë nga ato që ishin biseduar me kreun e klubit, Joan Gaspart.
“Ne donim të rinovonim me Barcelonën, por nuk donim kushte për të drejtat e imazhit dhe situata të tjera të komplikuara. Nëse një televizion paguan një pjesë të kontratës sonë ishte në rregull përderisa paguante edhe taksat e saj.
Nuk donim të ndiqnim një rrugë të rrezikshme për lojtarin më të rëndësishëm në botë. Ai duhet të hynte më pas në beteja ligjore, që do e shqetësonin atë. Pas një darke me drejtuesit në ramë dakord. Unë telefonova ish-presidentin e Interit, Moratti dhe i thashë se ramë dakord me Barçën.
Barcelona më pas njoftoi konferencën për shtyp për të njoftuar rinovimin e Ronaldos. Por fatkeqësisht kur pamë kontratën kushtet nuk ishin aspak ato për të cilët kishim rënë dakord. Në fillim mendova se ishte një keqkuptim, pastaj humba durimin.
Shikova partnerët e mi dhe u thashë drejtuesve të Barcelonës: ‘Zotërinj, ne po largohemi. Duke pasur parasysh këtë fyerje të inteligjencës sonë, nuk ka asnjë arsye për ta ekspozuar Ronaldon ndaj këtij poshtërimi ‘. Sulmuesi u transferua në Inter Milan dhe kaloi pesë sezone në Serie A”, tregoi Giovanni Branchini.
Më pas në vitin 2002 ai u kthye në Spanjë, por këtë herë te Real Madrid. Në vitin 2007 ai u kthye në Itali dhe luajti për Milanin, para se të mbyllte karrierën te Corinthias në Brazil në vitin 2011. Ronaldo fitoi 2 Kupa Bote dhe 2 Topa të Artë, pavarësisht se dëmtimet e shoqëruan në gjithë karrierën.