Aktorja e humorit Egla Ceno publikoi në profilin e saj në Facebook këto ditë rezultatin e një sondazhi të realizuar me ndjekësit e saj, i cili nxirrte fitues në zgjedhjet e 25 Prillit Partinë Demokratike me 54% të votave, ndërsa Partia Socialiste 46%.
“Nga sondazhi i pashitur, i pa manipuluar dhe jo zyrtar që bëmë për votimet e 25 Prillit nga kjo faqe me 133 mijë ndjekës,” thotë ndër të tjera Ceno, e cila premton madje që do vijojë në rrugën e sondazheve, gjë pak e rrallë për një artiste, e sidomos në kohën kur pozicionimi i personave publikë krah politikës po merr lumë kritikash sidomos në rrjetet sociale.
Por sa i vërtetë është ky sondazh dhe sa realë janë 133 mijë ndjekësit me të cilët krenohet aktorja që ç’është e vërteta veç disa roleve komike së bashku me Elvis Pupën, nuk njihet nga publiku për ndonjë rol të spikatur në fushën e teatrit?
Mjafton të shohësh numrin e madh të ndjekësve me kombësi nga Kina, Arabia e deri në Afrikë për të kuptuar që, në mos janë profile “fake”, apo të blera vetëm për të rritur numrin e “followers”, apo “page likes”, ata të cilët kanë marrë pjesë në këtë sondazh nuk e kanë as minimumin e idesë se kush është Partia Demokratike në Shqipëri.
Një sondazh i tillë, jo dhe aq i paqëllimshëm, me gjithë dëshirën e saj për ta “shitur” si të pamanipuluar, edhe mund të dukej i besueshëm nëse vetë aktorja nuk do postonte më herët qëndrime politike të liderit të PD, Lulzim Basha, siç në rastin e teatrit, kauzë të cilën ajo duket se i është bashkuar, jo vetëm për lidhjen e saj artistike, por, siç së fundmi rezulton, edhe për bindjet politike, të cilat, në fund të ditës, nuk ka asgjë të keqe t’i shfaqësh hapur, pa qenë nevoja të fshihesh në sondazhe. Kjo edhe për faktin se në Facebook-un e saj ata që e ndjekin nuk i rrisin audiencën reale, nëse arti i saj do vijojë të kufizohet brenda kufijve të Shqipërisë.