Nga Mero Baze/
Kryeministri i zgjedhur i Kosovës Albin Kurti, i ka premtuar ambasadorit të Turqisë në Prishtinë, se do të shqyrtojë çështjen e vendosjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Komentet e zotit Kurti pasuan një letër të presidentit Erdogan dërguar atij me rastin e fitores në zgjedhje, ku kjo kërkesë ishte në plan të parë.
Në fakt nuk ka ndonjë debat apo ndonjë mundësi zgjedhje për Kosovën, lidhur me Jerusalemin. Kosova ka në dorë vetëm të pranojë njohjen nga Izraeli, ose të mos e pranojë. Të tjerat janë lojra fjalësh. Marrëveshja e Uashingtonit është një zotim i shtetit të Izraelit, për të njohur Kosovën me seli në Jerusalem. Kosova si shtet i ri, që njihet nga Izraeli, nuk e ka luksin e shteteve që kanë njohur më herët në mënyrë reciproke Izraelin, për të zgjedhur mes Tel Avivit dhe Jerusalemit, përfshi këtu dhe Shqipërinë. Izraeli nuk mund të zhbëjë marrëdhëniet me shtetet të cilat e kanë selinë në Tel Aviv, pasi aty ua ka caktuar vetë selinë e Ambasadës kur e kanë njohur njëri- tjetrin.
Shtetet që duhet ta lëvizin selinë në Jerusalem, janë shtete që tregojnë një afrësi më të madhe me kauzën e shtetit izrealit. SHBA e bëri një gjest të tillë me Trump-in, edhe pse vendimi u pasua me kritika të forta. Por ai nuk do të ndryshojë më. Kosova nuk e ka këtë këtë luks zgjedhje. Kosova është një shtet i ri, që Izraeli e njeh në kushtet e veta, ku ka të përcaktuar si kryeqytet diplomatik Jerusalemin. Kosova mund ta pranojë, ose jo, këtë njohje. Kaq ka në dorë. Albin Kurti e di mirë këtë. Kjo është një njohje e dhuruar nga SHBA dhe duke e pranuar atë, ke pranuar dhe luajalitetin e fortq me politikën e SHBA.
Duke e kundërshtuar atë për interesa të Turqisë, ke kthyer Kosovën në një krahinë autonome të ish- Perandorisë Osmane. Njohja e Kosovës nga Izraeli është ndoshta njohja më e rëndësishme, pas njohjeve të javës së parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ajo njohje ndërpreu procesin poshtërues të tërheqjes së njohjeve nën ndikimin e Serbisë, apo refuzimin e njohjeve të reja, që kishte disa vite që ishin në vend numëro. SHBA e siguroi këtë njohje në një tavolinë me Serbinë, duke i poshtëruar ata dyfish.
Prandaj përdorimi i fjalive që rrisin pritshmëri edhe për Turqinë, edhe për SHBA, nuk funksionon. Ai mund të gënjejë ndonjë militant trushpëlarë të Vetëvendosjes, por jo SHBA dhe Izraelin. Albin Kurti ka në dorë të refuzojë njohjen nga Izraeli, ose ta pranojë atë ashtu siç është bërë dhe të shkojë në ceremoninë e inagurimit, ashtu siç e ftoi kryeministri Netanjahu. Nuk i ka dhënë njeri mandat, as ta shqyrtojë, as t’i diktojë kushte Izraelit. Thjesht duhet të provojë nëse Kosova është në linjën historike të bashkërendimit diplomatik me SHBA, apo do fillojë një erë e re kundër saj. Albini e ka detyrim ta sqarojë këtë gjë. Për vazhdimin e sqarojnë shqiptarët pastaj, edhe pse është poshtërsi t’i çosh në një referendum pro apo kundër SHBA, vendit që i çliroi.