Nga ARTUR AJAZI
Fushata elektorale e zgjedhjeve të 25 Prillit, po u tregon edhe njëherë shqiptarëve, se Lulzim Basha nuk është në gjendje të bëhet lider, aq më tepër të bëjë skuadër, me të cilën mund të pretendojë fitoren. Mungesa e aftësive për të përmbushur misionin si “opozitar” për 8 vite, ecja në drejtimin e gabuar, dhuna dhe lufta ndaj institucioneve ligjzbatuese, sulmet e paprecedenta ndaj faktorit ndërkombëtar, si dhe përsëritja e avazit të 2017, e kanë zhveshur kryetarin e Partisë Demokratike, nga çdo hamendësi që deri para 3-4 muajsh qarkullonte rreth tij. Ai e ka të pamundur të jetë një kryetar vizionar partie, e ka të pamundur të arrijë “majat” e liderit, e ka të pamundur të kopjojë Saliun aq më tepër Edi Ramën.
Kjo ndoshta e shtyu atë të gabojë sërish. Lulzim Basha nuk është vetvetja. Ai varet gjithmonë nga dikush. Dhe në rastin konkret ai varet nga oligarkët e tij. Ata me të cilët punoi dhe jetoi në 8 vite, ata që i përmbushën dëshirat e tij pasurore, sot i kanë diktuar emrat e listës. Asaj liste e cila do ta lërë Partinë Demokratike edhe 4 apo më shumë vite në opozitë. Emrat e listuar, janë padyshim personazhet e një drame që e ka ndjekur deri sot atë parti. Ata janë e shkuara e saj, ata janë tentakulat e molepsjes me veset e pushtetit, ata janë personazhet e alibive dhe korrupsionit, të cilët shqiptarët i njohin, dhe as dorën, dhe jo votën nuk u japin. Ish-kopisti Lulzim, e ka të pamundur të ringrihet mbi gërrmadhat e të shkuarës. Ai sot është pjesë e saj. Nuk ka mundur të shtrijë ballafaqimin mes tij dhe të shkuarës, ndaj dhe lista e emrave i dikton atij, më shumë se asgjë tjetër të ecë mbi gërrmadha. Lulzim Basha në turin e tij në qytete, po u tregon shqiptarëve pamundësinë dhe palumturinë e tij, në përballjen me Edi Ramën.
Ai që nuk ka mundur të ngrejë partinë deri sot, as që mendohet se mund të dilte para shqiptarëve me “skuadër fituese”. Personazhet e listës së tij, janë sa të konsumueshëm politikisht, aq edhe të denoncueshëm për shkeljet e tyre ligjore.Në listën e Lulzimit, kryesojnë “trimoshët”,abuzuesit, të paaftët, të korruptuarit, ata që nuk kanë lënë asnjë gjurmë në zonat e tyre që janë votuar. E vetmja ambicje e tyre është mandati dhe shtimi i pasurisë. Dhe si gjithmonë, e vetmja “zgjidhje” për Lulzimin, mbetet dhuna. Me “revolucion” ai kërkonte prej 2018 rrëzimin e qeverisë, largimin e Edi Ramës, me dhunë ai tentoi ti imponohej Parlamentit por edhe faktorit ndërkombëtar. Fushata e opozitës sot ngjet, me përpjekjet e një të “mbyturi” që kërkon të shpëtojë.
Ajo është pa motiv, pa frymëzim gjëkundi, nuk ngjall interesim aspak tek shqiptarët, tek shohin një kryetar partie si Lulzim Basha, që hipën majë makinës dhe mundohet të elektrizojë turmat që shpesh i merr me vehte nga Tirana. Fushata e opozitës, mbetet e njëjta me fushatat e 30 viteve të shkuara. Asgjë nuk ka ndryshuar, madje dhe vetë Lulzim Basha të ngjall Sali Berishën, tek del me njerëz me vehte, tek nxit dhunën, dhe mbron dhunuesit. Skuadra e opozitës, është pa ide, pa risi, pa të veçanta, pa mbështetje nga vetë baza e asaj partie, e cila përfundimisht ka humbur besimin tek kryetari i saj.
Motua e skuadrës së Lulzimit është “të kapim ndonjë mandat, pastaj të bëjmë ca para”, dhe jo të qeverisim. Ata mendojnë pushtetin dhe jo të ardhmen e shqiptarëve. Skuadra e Lulzimit, mbetet e rrethuar nga hipokrizia e atyre që e lidhin të ardhmen e vendit me mandatin e deputetit, dhe emrin në krye të listës. Ata nuk e njohin garën e ndershme, votën e lirë. Pazari, mbetet kryefjala e mbijetesës së tyre në politikë. Atë bëri edhe Lulzimi me këto lista. Ndaj nuk arrin kurrë ai të bëjë një skuadër si Edi Rama. Thjesht shpall “tender” për vendin e parë deri tek i gjashti…pastaj gjithçka është mashtrim i pastër.