Fermerët në të gjithë vendin nisin nga nesër, më 24 mars deri më 15 prill aplikimin me zero dokumente në e-Albania për të përfituar financim nga nëntë masat që adreson Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021.

Gjashtë hapa të thjeshtë kryejnë fermerët për aplikimin në Skemën Kombëtare, bën të ditur Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) zbatuese e këtij programi.

Sipas AZHBR-së, fillimisht hap e-Albania, regjistrohu në e-Albania si qytetar, me të dhënat e kartës tuaj të identitetit, zgjidh shërbimin “Aplikim për Skemën Kombëtare të mbështetjes për fermerët’’, zgjidh llojin e fermerit, vendndodhjen e fermës, masën si dhe sasinë për të cilën do të aplikoni, prano kushtet dhe kliko dërgo.

Vetëm gjashtë hapa dhe aplikimi u krye me sukses.

Këtë vit qeveria financon 804 milionë lekë për të mbështetur fermerët në gjitha kulturat në bujqësi dhe në nëntë sektor blegtori, bletari, zëvendësimi i plastmasit në serra, për prodhimin organik, për certifikimin global GAP, për bimët mjekësore, për shndërrimin e shtëpive në bujtina dhe ndërtimin e një agroturizmi të ri, etj.