Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla ka ironizuar listën e kandidatëve të PD-së në një deklaratë për mediat në Elbasan.
Ai ka përmendur një pjesë të emrave të PD-së që janë në listë, duke theksuar se është një përmbyllje fatale e 30 viteve tranzicion të PD-së. Balla përmendi edhe personalitetet si Najada Como dhe Luljeta Bozo, të cilat janë pjesë e listës së Tiranës, duke thënë se ata janë pjesë e betejave të cilat do të çohen deri në fund.
“Unë kam qenë në dilemën për të qenë i 8 apo i 9, por ka qenë një vendim i PS për të vendosur. Besoj se çdo qytetar që ka parë listën e PD në Tiranë është një përmbyllje fatale e 30 viteve tranzicion të PD-së. Të shohësh në listë pazare të ulëta. Unë nuk e di se çfarë kërkojnë bashkë njëri sipër e tjetri poshtë, Shpëtim Idrizi dhe Vangjel Dule në PD. Nuk gjej dot një arsye, ndjesë se po flas në emër të një demokrati të Tiranës. Nuk e di se çfarë kërkon Fatmir Mediu apo Dash Shehi në listat e PD. Najda Çomo dhe Luljeta Bozo janë pjesë të betejës, janë beteja që ne i kemi marrë përsipër për t’i çuar deri në fund. Vërtet mund të krahasosh Luljeta Bozon dhe Najada Comon me Sali Berishën apo Vangjel Dulen? Edhe me Lulzim Bashën brenda. Unë jam shumë krenar për listën që kemi krijuar në Elbasan. Këta realisht kanë probleme me matematikën. Kodi zgjedhor e thotë qartë, në Elbasan janë 14 vende në Kuvend dhe kodi thotë që jo më shumë se dy vende shtesë, por të plotpjesëtueshme me 3. 14+2 bëjnë 16 nuk plotpjesëtohet me 3, që do të thotë 15. Ne do të na duhet në pedagogjiken e Elbasanit të shtojmë një klasë për PD për lëndën e matematikës. Se në Kukës ku janë 3 po të shtosh dy bëhen 5, nuk plotpjesëtohen që do të thotë mbeten tre ai çon 6. Kjo është tallje edhe me ata persona që i ka futur emrin, tani sot do t’i marrë në telefon dhe do t’i thotë më falni po nuk ju futa dot”, tha Balla.