Zyra e shtypit e Komisionit Evropian në Bruksel sqaroi pretendimet e kryeministrit të Shqipërisë për një rol të komisionerëve në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një reagim për Euronews Albania, zëdhënësja për shtyp e KE, Ana Pizonero theksoi se aktiviteti i sotëm ishte në nivel rajonal dhe pa asnjë ndikim në situatën politike shqiptare, duke hedhur poshte Bashen qe e shiti si aktivitet te tijin dhe jo si i ftuar.
“Komisioni nuk komenton mbi komentet e palëve të treta.
Lutemi të keni parasysh që komisionerja Mariya Gabriel mori pjesë në Tryezën e 18-të Rrumbullakët mbi Arsimimin, me ftesë të Universitetit Modul të Vjenës, i cili është organizatori i këtij eventi.
Pjesëmarrja e komisioneres ishte e kufizuar vetëm në dhënien e një fjalimi kryesor”, tha zëdhënësja e KE.
“Fjalimi, i cili është i publikuar në faqen e internetit të Komisionit, është i fokusuar mbi iniciativat e fundit evropiane në fushën e arsimimit dhe të kërkimit, të cilat vlejnë për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Komisionerja nuk bëri ndonjë deklaratë për ndonjë parti politike, por mbajti një fjalim mbi çështjet që kishin të bënin me fushën e saj”, thuhet në reagim.
Kryeministri Edi Rama i cilësoi si “ndërhyrje në fushatë” bisedat online të zhvilluara së fundmi nga kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha me komisionerë të Bashkimit Evropian. Cilësim të cilin, Basha e ka konsideruar si “nervozizëm”.
Rama u shpreh se “Brukseli duhet t’i porosisë komisionerët që të mos harxhojnë kohën e punës për të bërë video elektorale me kreun e PD-së”.
“[…] se kjo quhet ndërhyrje në fushatën e brendshme elektorale të një vendi kandidat për në BE!” – shkroi Rama në një postim në Twitter.
“Në dijeninë time Komisioni Evropian nuk e ka zakon të fusë hundët në fushatat elektorale dhe unë pres ta mësoj zyrtarisht e publikisht nga Brukseli, nëse e kam unë gabim e ndoshta komisionerët kanë vërtetë të drejtë të bëhen palë kur popujt e Evropës zgjedhin qeveritë e tyre,” – shtoi më tej kryeministri.
Basha zhvilloi një takim online me komisioneren e BE-së për Edukimin, Inovacionin dhe Rininë, Mariya Gabriel, ndërsa më herët gjatë javës së shkuar pati zhvilluar një bisedë online me komisionerin e BE-së për Buxhetin dhe administratën, Johannes Hahn.