Mikrobiologja në Insititutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Donjeta Pllana, dhe një ndër 250 mjekët e vaksinuara gjatë ditës së sotme në Kukës, tregoi se procedura shkoi në rregull.
“Procesi i vaksinimit ka qenë shumë në rregull. Ka qenë e organizuar. Jemi nisur në orën 8:30 nga QKUK dhe pak para orës 11 kemi mbërritur në Kukës te ndërtesa e teatrit”, theksoi ajo për telegrafin. Më pas ajo ka shpjeguar se është dashur t’iu nënshtrohen disa procedurave, para dhe pas vaksinimit.
“Atje me lista na kanë thirrur emrat që të hyjmë brenda, me kontrolle te identifikimit, plotës të një formulari dhe pastaj ka vijuar procesi i vaksinimit. Pas vaksinimit jemi detyruar të qëndrojmë në sallë në përcjellje të mjekëve nëse eventualisht na paraqitet ndonjë reaksion alergjik. Gjithçka ka shkuar mirë”, shtoi Pllana.
Mjekja tha se ndihet shumë mirë dhe se përveç një dhimbjeje në krahë nuk ka asnjë simptomë tjetër. E pyetur nëse ka pasur hezitime për AstraZeneca, ajo tha se nuk e ka menduar mos marrjen e vaksinës. “Unë për vete në asnjë moment nuk e kam menduar marrjen e vaksinës. Secila vaksinë ka efekte anësore, por benefitet janë shumë më të vlefshme sesa dëmet që vijnë nga ajo”, përfundoi ajo.
‘Nëse Kosova ende nuk do të ketë siguruar vaksinat, Shqipëria do të sigurojë dozat për të 11 mijë mjekët dhe infermierët’ këto ishin fjalët e kryeministrit Rama të cilat sot u bënë realitet. Gjatë procesit i cili ka nisur ditën e sotme në Kukës, u vaksinuar 250 mjekë kosovarë dhe pritet të vaksinohen dhe 250 të tjerë nesër. Në Kosovë ende nuk ka mbërritur asnjë dozë e vaksinës kundër COVID-19.