Kandidatja e Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, inxhinierja e njohur Luljeta Bozo, e ftuar sot në një studio televizive, foli mbi disa fusha prioritare ku do të fokusohet puna pas zgjedhjeve të 25 prillit.

E pyetur mbi opinionin e saj për kreun e PD-së, Lulzim Basha, ajo tha se “Bashën e njoh me 4 vjet që ka qenë kryetar bashkie. Nuk ka lënë ndonjë gjurmë të dukshme që të thuhet se kjo është bërë në kohën e Bashës”.

“Unë shikoj çfarë lë prapa secili. Rama ka shumë ide, ngaqë është edhe artist i fut edhe ngjyrimin artistik brenda, nuk diskutohet. Por atë që thotë e bën, nuk e ndryshon, e sigurt ajo. U bë Lana që ishte ku thërret qameti, ishte e tmerrshme, ishin ngritur godina 4-katëshe. Po Parkun? Ishte qendra e drogës dhe e prostitucionit. Ishin dy kulla, një e të fortit të PS-së dhe një e të fortit të PD-së”, tha ajo.

Bozo tha se “rritja e pensioneve është prioritet dhe nëse shtojmë derdhjet në sigurime ka mundësi të bësh diçka për pensionistët”.

Në këtë drejtim, Bozo komentoi edhe programin e Partisë Demokratike që premton ulje sigurimesh dhe rritje pensioni.

“PD thotë do ulim sigurimet dhe do rrisim pensionet. Kjo nuk ka logjikë, se ka një rregull bazë në gjithë bazën që derdh gjithë jetën sigurime që të kesh pension në pleqëri”, tha ajo.

Bozo tha se arsimi është një tjetër prioritet ku do të fokusohet. “Kam 56 vjet që punoj pa ndërprerje në arsim dhe ka shumë probleme që ne duhet t’i zgjidhim. Pavarësisht pse u bë një reformë në arsimin e lartë, ka shumë shqetësime arsimi”, tha ajo.

Së treti, Bozo tha se, “kam një jetë të tërë që jap kontributin tim për përgatitjen e specialistëve të ndërtimit. Ndërtimi ka shumë probleme që duhen zgjidhur nga pikëpamja ligjore. Kam marrë shumë kërkesa e mbështetje nga kolegët e mi”.

Ndërkohë Bozo tha se “ndërtimet që po bëhen tani në Tiranë janë sipas projektit francez që fitoi në kohën e Fatos Nanos. Fitoi firma franceze me projektin me kulla që në kohën e Nanos dhe ato po zbatohen tani”.